Rusi, arrestohet miliarderi Yevtushenkov

17/09/2014 00:00

Miliarderit rus Vladimir Yevtushenkov i është dhënë masa e arrestit shtëpiak, për shkak të dyshimeve për pastrim parash, duke sjellë si pasojë edhe rënien e aksioneve të kompanisë së tij “Sistema”.

Bursa e Moskës ka pezulluar përkohësisht tregtimin e aksioneve të “Sistema”-s, pasi ato patën një rënie të ndjeshme me 37%. Kompania në fjalë i përket fushës së naftës dhe telekomit.

Kreu i një grupi biznesi ka vënë në dyshim shkakun që fshihet pas arrestimit të 65-vjeçarit Yevtushenkov, ndërsa zëdhënësi i Presidentit rus Vladimir Putin ka mohuar çdo motiv politik.

Yevtushenkov ka një pasuri të përllogaritur në 4,4 miliardë dollarë sipas “Forbes”. Grupi i tij “AFK Sistema” zotëron operatorin më të madh të telefonisë celulare në Rusi, “MTS”, ashtu sikurse dhe firmën e naftës “Bashneft”, aksionet e së cilës ranë me më shumë se 20% gjatë së mërkurës, për të cilat u pezullua gjithashtu tregtimi në bursë.

Komiteti i Federatës ruse të Hetimit bëri të ditur se ai akuzohet për pastrim parash, duke përfshirë këtu blerjet e jashtëligjshme të aseteve të naftës në grupin “BashTek”, që ndodhej në Republikën ruse të Bashkortostanit. Në vitin 2009, “Sistema” bleu 6 kompani të “BashTek”, të cilat u blenë më pas nga “Bashneft”.

Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me 10 vjet heqje lirie, bëjnë të ditur raportime nga Rusia. “Sistema” deklaroi përmes një njoftimi zyrtar se blerja e “BashTek” ishte ligjore dhe transparente.

Arrestimi në fakt u krahasua menjëherë nga Alexander Shokhin, kreu i Sindikatës ruse të Industrialistëve dhe Sipërmarrësve, me burgosjen e miliarderit tjetër në vitin 2003, Mikhail Khodorkovsky. Ish-pronari i gjigantit të naftës “Yukos” kaloi 10 vjet në burg, përpara se të falej nga Presidenti Putin dhe të largohej nga Rusia, Dhjetorin e kaluar.

Top Channel