Studimi amerikan: Skizofrenia shfaqet në 8 forma

17/09/2014 00:00

Ajo që sot dimë, apo që psikiatrit kanë diagnostikuar prej dekadash si skizofreni, mund të jetë realisht e ndarë në 8 sëmundje të ndryshme. Këtë ka bërë të ditur një studim i Revistës amerikane të Psikiatrisë.

Shkencëtarët në Universitetin e Uashingtonit, në St. Louis, analizuan ADN-në e më shumë se 4 mijë njerëzve me skizofreni. Ata kanë gjetur ngjashëri të variacioneve të geneve në ADN-në e simptomave individuale të pjesëmarrësve në studim.

Me këtë ata kanë zbuluar disa “grupime genesh”, që duket se shkaktojnë 8 simptoma të ndryshme skizofrenie, sipas deklaratës së publikuar nga universiteti.

“Sëmundjet komplekse, siç është skizofrenia, mund të influencohen nga qindra apo mijëra variacione genetike, të cilat bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në mënyra sërish komplekse”, shkruajnë autorët e studimit në deklaratën e tyre.

“Genet nuk operojnë veçmas, ata funksionojnë si një orkestër koncertesh dhe, për të kuptuar se si punojnë, duhet të dish jo vetëm se cilët janë anëtarët e orkestrës, por edhe mënyrën se si ata bashkëpunojnë”.

Skizofrenia është një çrregullim kronik i trurit, i cili prek rreth 1% të popullsisë, sipas Federatës amerikane të Psikiatrikëve. Simptomat mund të variojnë nga haluçinacionet, deri te fjalimet e çrregullta, por edhe në mospërqendrimin dhe probleme me vendimmarrjen.

Top Channel