Milan-Seedorf, çështja në gjykatë?

17/09/2014 00:00

Milani i Inzaghit duket se “po fluturon” në këtë fillimsezoni të Serie A, me dy fitore në po kaq ndeshje të zhvilluara, por gjërat jashtë fushës së blertë nuk shkojnë mirë.

Kjo sa i përket paraardhësit të Pippos në pankinën e kuqezinjve, holandezit Clarence Seedorf. Ish-lojtari dhe për pak muaj edhe trajner i Milanit, i cili zëvendësoi në Janar Allegrin, ka firmosur një kontratë deri në 30 Qershor 2016 dhe, pas lamtumirës polemizuese në fund të sezonit të kaluar, pretendon nga shoqëria e rrugës “Aldo Rossi” t’i paguajë gjithçka që i detyrohet atij.

Tiziano Treu, ish-ministër i Punës dhe një prej avokatëve të Seedorf ka thënë për “Gazzetta dello Sport” se “ne synojmë një zgjidhje miqësore, që do t’i kënaqte të dyja palët, por takimi i fundit nuk shkoi siç pritej dhe, duke parë situatën aktuale, ekziston një rrezik i madh që kjo çështje të përfundojë në gjykatë”.

Nga kjo çështje pretendohen rreth 10 milionë euro (2,5 neto për sezon) siç është rënë dakord në momentin e firmosjes së kontratës, ndërsa Milani, i cili përfaqësohet nga avokat Cantamessa, po kërkon ta evitojë këtë kauzë.

E qartë është se, sido që të zgjidhet, Seedorf, i cili u afrua si një shpëtimtar i kuqezinjve, por që në fund të sezonit u largua në një mënyrë tepër polemizuese, nuk do të falë asgjë, pasi nuk e ka vlerësuar aspak qëndrimin e klubit dhe trajtimin që i kanë bërë atij.

Top Channel