Ukraina, “spastrim” nga Yanukovych

17/09/2014 00:00

Një milion nëpunës civilë do të kalojnë në sitën e verifikimit për besnikërinë ndaj qeverisë së re të Ukrainës.

Kryeministri Arseni Yatsenyuk sqaroi se, në lupën e kontrollit do të jenë të gjithë departamentet, që kanë punuar me Presidentin e përmbysur Viktor Yanukovych. Ligji u miratua në Parlament të martën, duke i dhënë dritën jeshile verifikimeve mbi të gjithë zyrtarët qeveritarë dhe largimit të atyre, që do të provohen të korruptuar.

“Një milion nëpunës civilë do të preken nga ky ligj, përfshirë këtu të gjithë ministrat e kabinetit, Ministrinë e Brendshme, shërbimet e inteligjencës dhe zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Me këtë hap do të bien të gjithë organizmat e pushtetit qendror, që kanë punuar për Yanukovychin”, tha Arseniy Yatsenyuk, kryeministër i Ukrainës.

Ligji i ri i lustracionit, apo pastrimit të radhëve të pushtetit, ishte pasojë e presionit të grupeve lobuese, që përfaqësojnë protuestuesit nxitës të rrëzimit të ish-Presidentit aleat të Moskës. Por, largimi i tij në muajin Shkurt nuk solli paqe në Ukrainë.

Vendi u përfshi nga trazira, që në rajonet lindore janë shndërruar në luftë të mirëfilltë. Shumë druhen se kjo situatë mund të sjellë një përsëritje të skenarit të Krimesë së aneksuar nga Rusia në Mars.

Megjithatë, ashtu siç ka ngjashmëri, mes situatës së gadishullit me shumicë ruse dhe zonave në Lindje të Ukrainës ka edhe dallime. Popullsia e rajoneve lindore është shumë më e përzier etnikisht dhe politikisht se sa ajo e Krimesë, dhe sipërfaqja që duhet vënë nën kontroll është mjaft më e madhe.

Top Channel