Referendumi skocez, sondazhet: Jo pavarësisë

17/09/2014 00:00

Edhe pak orë duhen nga hapja e qendrave të votimit ku Skocezët do të zgjedhin nëse duan të shkëputen nga Britania e Madhe apo do të vazhdojnë të jenë pjesë e mbretërisë.

Sondazhet e fundit tregojnë për një avantazh prej 4 pikësh të refuzimit të pavarësisë dhe qendrimit në Britaninë e Madhe. Sondazhi i Institutit ICM për llogari të Scotsman ndalet në 45 përqind të mbështetjes për qendrimin në Britaninë e Madhe dhe 41 përqind për shkëputjen.

E njëjta distancë vërehet edhe në sondazhin e kryer nga Survation për llogari të DailyMail, ku 48 përqind e të anketuarve i thonë jo shkëputjes dhe 44 përqind po.

Sondazhi i tretë është ai i kryer nga Opinium për Daily Telegraph. Edhe në këtë sondazh diferenca është sërish në katër pikë për mbështetësit e unionit. 49 përqind e të pyeturve thonë se do të votojnë kundër ndarjes dhe 45 përqind pro saj.

E përbashkëta tjetër mes të tre këtyre sondazheve është përqindja e lartë e personave që janë ende të pavendosur. 14 përqind është shifra në sondazhin e parë, 8 në të dytin dhe 6 në të tretin. Kjo shifër e lartë e pjesës gri është ajo që do të përcaktojë rezultatin e referendumit historik të ditës së enjte ku do të vendoset nëse do të vazhdohet simbioza 307-vjeçare apo do t’i jepet fund asaj.

Mbështetësit e shkëputjes ngrenë dyshime mbi vëretësinë e këtyre sondazheve. Ata thonë se diferenca nuk është kaq e madhe, ndërkohë që kanë shpalosur edhe programin për zhvillimin e vendit nëse merret pavarësia.

Plani synon zhvillimin e vendit dhe shndërrimin e Skocizë si Norvegjia duke shfrytëzuar të ardhurat e siguruara nga nëntoka e pasur gaz, naftë dhe minerare të tjera.

Top Channel