Terrorizmi, bastisje në Uells

17/09/2014 00:00

Njësitë e anti-terrorizmit në Uells kanë kryer një operacion në një banesë të Kardifit pas dyshimeve se mund të përdorej si bazë për grumbullimin e materialeve propagandistike.

Banesa u bastis në orët e para të mëngjesit të së mërkurës nga shumë oficerë dhe një numër i konsiderueshëm objektesh u morën prej saj për t’u analizuar.

Zyrtarë të policisë lokale deklaruan se nga shtëpia nuk kishte rrezik konkret për sigurinë publike, ndërsa falenderuan komunitetin lokal për bashkëpunimin.

“Ne e përdorim pushtetin tonë atëherë kur duhet dhe duke punuar ngushtë me partnerët dhe komunitetet, në përpjekje për të parandaluar përfshirjen e banorëve në aktivitete ilegale”, deklaroi oficerja Nikki Holland.

Zyrtarja saktësoi se Kardifi dhe Uellsi në tërësi nuk kanë probleme të theksuara me ekstremizmin, në veçanti atë islamik, por shtoi se masat e policisë herë pas here janë të nevojshme.

Ndërsa një banor i zonës u shpreh i shqetësuar pas operacionit të forcave të rendit. “Në këtë zonë jetojnë studentë dhe familje, nuk prisja të shihja diçka të tillë këtu”.

Britania e Madhe konsiderohet si një nga vendet më të rrezikuara nga ekstremizmi islamik, sidomos nga Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë dhe për këtë arsye autoritetet ngritën më herët gjatë muajit nivelin e alarmit.

Top Channel