Skoci, mitingjet e fundit për pavarësinë

17/09/2014 00:00

Të dyja palët e përfshira në referendumin për pavarësinë e Skocisë kanë mbajtur mitinegjet përkatëse, duke bërë përpjekjet e fundit për të bindur votuesit e pavendosur.

Mbështetësit e pavarësisë mbajtën një takim masiv në qendër të Glasgout, ku bënë thirrje që të votohet “pro”, për një Skoci më të begatë.

Në të njëjtën kohë, aktivistët pro-bashkimit u mblodhën në një shesh tjetër, jo larg nga kundërshtarët, duke bërë thirrje për opsionin e kundërt.

Duke folur në tubimin pro-pavarësisë, kryetari i fraksionit Po Skocisë, Dennis Canavan sulmoi kundërshtarët e tij politikë edhe eksponentët e politikës Londineze.

“Populli i Skocisë nuk është budalla. Ka vetëm një mënyrë për të garantuar më shumë pushtet për Parlamentin skocez dhe ajo është votimi pro. Kështu që le ta përhapim mesazhin tonë, ta çojmë në çdo rrugë, çdo qytet dhe çdo fshat, çdo komunitet dhe tek kushdo që jeton në Skoci”, deklaroi Canavan.

Ndërsa kryetari i Më Mirë së Bashku, Alistair Darling i bëri thirrje kujtdo që ka ende dyshime që të votojë “jo”. Duke folur në mitingun me mbështetësit e tij i shoqëruar nga ish-kryeministri britanik Gordon Brown, ai tha:

“Ata që janë ende të pavendosur duhet të vendosin. Ajo çka është e qartë në fund të kësaj fushate është se nga pala nacionaliste nuk ka aspak siguri. Të gjithë ata në Skoci që kanë dyshime duhet t’i heqin ato dhe të votojnë “jo””, tha Darling.

Në ditën e fundit të fushatës, ministri i parë i Skocisë, Alex Salmond publikoi një letër për popullin skocez, në të cilën u thoshte se, do të kenë pushtetin në duart e tyre kur të vendosin për të ardhmen e vendit.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel