S`ka troje për banesa sociale

17/09/2014 00:00

Zaptimi pa kriter i territorit nga ndërtimet ka vështirësuar sigurimin e
trojeve të lira, të përshtatshme për ngritjen e banesave të reja
sociale në shërbim të shtresave në nevojë.

Në një takim me drejtues të Entit Kombëtar të Banesave, Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni tha se në këto kushte nevojiten ide të reja për të zgjidhur këtë problematikë, siç është përshtatja e godinave shtetërore si banesa për familjet në nevojë.

“Kërkoj që në bashkëpunim me qeverisjen vendore të identifikoni objekte që janë në pronësi të njësive vendore apo qeverisë qëndrore, të cilat janë të papërdorura dhe me kosto më të ulëta mund të ngrihen si banesa sociale”, u shpreh Gjermeni.

Po ashtu ministrja Gjermeni tha se në bashkëpunim me Shoqatën e Ndërtuesve po shihet mundësia e blerjes së apartamenteve të mbetura stok.

Për drejtoreshën e Entit Kombëtar të Banesave Doris Andoni një tjetër sfidë është sigurimi i banesave të përballueshme për qytetarët në kushtet kur të ardhurat e familjeve kanë rënë.

“Brenda dy viteve të ardhshme ne kemi një plan të qartë, që do të strehojmë 240 familjeve brenda dy viteve”, tha Andoni.

Zonja Andoni tha se procesi i kontrollit të dosjeve të qytetarëve ka përfunduar për 8 bashki, janë verifikuar rreth 250 dosje ndërsa shkeljet kryesore të evidentuara kanë të bëjnë me mangësi në dokumentacion.

Top Channel