Ebola, pasoja katastrofike për ekonominë

17/09/2014 00:00

Rënia e virusit të Ebolës mund të ketë pasoja katastrofike për ekonomitë e Guinesë, Liberisë dhe Sierra Leones, ka paralajmëruar Banka Botërore.

Organizata thotë se impakti ekonomik i virusit mund të dëmtojë tetëfish ekonomitë e shteteve që janë të brishta. Megjithatë, BB thotë se kostoja ekonomike mund të kufizohet nëse ndaj epidemisë do të ketë një përgjigje të shpejtë globale.

Analiza e Bankës Botërore vlerëson se miliarda dollarë mund të rrjedhin nga vendet e Afrikës Perëndimore nga fundi i vitit të ardhshëm nëse virusi vazhdon të përhapet.

Në rastin më të keq, institucioni i lartë bankar parashikon se rritja ekonomike vitin e ardhshëm mund të reduktohet me 2.3 për qind në Guine dhe 8.9 për qind në Sierra Leone.

Banka parashikon gjithashtu se ekonomia e Liberisë do të jetë ajo që do të goditet më rëndë nga virusi, duke humbur 11.7 pikë përqindjeje gjatë vitit të ardhshëm.

Virusi i Ebolës ka vrarë 2.461 persona në Afrikën Perëndimore që nga rënia e tij. Më herët gjatë së mërkurës presidenti amerikan Barack Obama e cilësoi epideminë si “një kërcënim për sigurinë globale”, teksa njoftoi një rol më të madh të Shteteve të Bashkuara në luftimin e virusit.

Masat parashikojnë mes të tjerash dërgimin e 3 mijë trupave në rajon dhe ndërtimin e qendrave shëndetësore. Njoftimi i presidentit Obama erdhi pasi zyrtarë të OKB-së e cilësuan epideminë si “një krizë shëndetësore të papreçedentë në kohët moderne”.

Në një deklaratë, presidentja e Liberisë, Ellen Sirleaf Johnson mirëpriti njoftimin e homologut amerikan, duke shpresuar se do të nxisë një reagim më të gjerë ndërkombëtar.

“Kjo sëmundje nuk është një problem vetëm i Liberisë apo Afrikës Perëndimore. I gjithë komuniteti ndërkombëtar ka një rol në dhënien fund të kësaj krize”, tha ajo.

Top Channel