Gjergji Haxhiu, piloti shqiptar drejt Formulës 1

17/09/2014 00:00

Nëntë vite më parë shkoi për një shëtitje me familjen në garat me makina Kart. Ishte vetëm gjashtë vjeç, por këmbënguli të bënte dhe ai një xhiro.

Që në atë moment e kuptoi se sa shume i dashuronte këto gara. Tashmë, kur është 15 vjeç, Gjergj Haxhiu është kampion i Zvicrës dhe nënkampion bote për të rinjte në Formula 4.  

Gjatë këtyre viteve, pasioni dhe puna e palodhur i kanë dhënë në duar shumë trofe dhe kupa. Por, talenti i Gjergjit është ai që spikat më së shumti. Mediat e krahasojnë me Ljuis Hamiltonin, pilotin aq të famshëm të Formula 1, ku përveç stilit tepër të ngjashëm që ka mes tyre, të dy kanë edhe një pikë të fortë të përbashkët: nuk dorëzohen asnjëherë.

Që nga viti 2007 Gjergj Haxhiu ka marrë pjesë në të gjitha garat e makinave për të rinj. Por, viti më i suksesshëm për të ishte 2011, ku ishte fitues i pesë garave në kategorinë 125 kubike dhe në të gjitha nuk u mposht asnjëherë. Viti 2014 e gjeti pilot në Formula 4, ku është piloti më i ri dhe garon përballë 20-vjeçarëve.

Fitoret e deritanishme e bëjnë entuziast dhe e shtyjnë drejt ëndrrës së tij më të madhe: në një të ardhme të afërt shpreson të garojë për titullin botëror në Formula 1. Edhe pse për të arritur deri aty i duhet një punë e madhe dhe të kalojë nëpër disa etapa, Gjergji nuk heq dorë.

Djali nga Prishtina, i lindur dhe i rritur në Zvicër, mban në makinën e tij flamurin shqiptar dhe atë zviceran, ndërsa në kaskë shqiponjën dhe simbolet e Gjergj Kastriotit. Ai është krenar për origjinën e tij. Tani, jemi ne krenarë për arritjet e Gjergj Haxhiut, pilotit të parë shqiptar që synon pistën e Formulës 1.

Top Channel