“Si më shpëtoi mjekësia alternative”

17/09/2014 00:00

11 vite më parë, Ismail Cukali nga Kukësi u gjend përballë një dileme. Shoferi me 50 vite përvojë në rrugët e Shqipërisë nisi të kishte problemet e para shëndetësore në shtyllën kurrizore.

Pas vizitës në Spitalin Ushtarak, specialistët i rekomanduan të operohej urgjentisht pasi diagnoza e kishte nxjerrë me “hernie diskale”. I detyruar, ai u fut në sallën e operimit.

“Pata blerë furgon dhe punoja në linjën Tiranë-Kosovë. Gjatë punës më dhimbte shumë shpina për shkak se rruga e vjetër ka qenë shumë e keqe. Erdhi një moment që nuk drejtohesha dot fare”, tregon Ismaili

Gjithçka u duk se mori fund me aq, por nuk ishte kështu.Vetëm tre vite nga ndërhyrja e parë kirurgjikale, problemet u rishfaqën. Këtë herë duke i krijuar vështirësi serioze në lëvizje: “Shkova u vizitova dhe më thanë që hernia më kishte kaluar në krahun tjetër dhe se më duhej të operohesha sërish. Nuk doja të bëja operacion tjetër dhe pyeta nëse kishte zgjidhje alternative. Më thanë që është një metodë: fërkim me akull.”

Edhe pse nuk kishte dëgjuar më parë për mjekësinë popullore, rezultati për Ismailin qe mbresëlënës. Sot, nuk ka asnjë shqetësim dhe gëzon shëndet të mirë falë një mjekimi të veçantë, jo dhe aq i pranuar nga mjekësia klasike.

“Nuk shkova më në spital pasi dhimbjet më ikën dhe nuk kisha më vështirësi në ecje. Kam shpëtuar”, thotë Ismaili.

Ditët i kalon si çdo pensionist pranë familjes. Herë pas here kujton me bashkëshorten sesi i shpëtoi operacionit të dytë falë ndihmës së një njeriu që nuk studioi kurrë për mjekësi, por që ishte po aq i dobishëm sa një mjek profesionist dhe i vërtetë.

Top Channel