Kur ilaçet bëhen me bimët e xha Haxhiut

17/09/2014 00:00

Të gjithë e njohin Haxhi Dokun në Fushë-Krujë. Ai nuk është ndonjë artist apo yll kinemaje, por një mjek popullor që ka shëruar me qindra njerëz të cilët kanë patur probleme shëndetësore.

Cdo ditë, xha Haxhiun e gjen duke mbledhur bimë medicinale ku të mundë për të përgatitur me to një ilaç të veçantë që i bën derman shumë sëmundjeve.

“Mbledh trëndafil të egër dhe kungull të egër. I ziej dhe i fus në shishe që t’i kem gati. Këtë punë e bëj çdo ditë”, tregon mjeku popullor.

Pas përzgjedhjes me kujdes të llojeve të ndryshme të bimëve në të gjithë Shqipërinë, Haxhiu bën pastrimin e tyre me kujdes për të shmangur lulet e dëmshme që mund të kenë efekte të këqija: “Mua më vijnë njerëz përditë. Nëse nuk do i kisha shëruar, nuk do të vinte më njeri tek mua.”

Bimët hidhen në një enë ku ziejnë për disa orë. Në fund, japin ilaçin që kuron sëmundjet e ndryshme të trupit që nga ostiomeliti e deri tek infeksionet e gjakut, recetën e të cilës e di vetëm ai: “Shëroj kolitin, fistulën, enzemat, migrenën apo sinozitin.”

I moshuari këtë pasion e ka të trashëguar prej 2 brezash. Kur ishte 15 vjeç, formulën ia la trashëgim babai. Më parë, këtë aftësi për të shndërruar bimët në ilaç e kishte gjyshi i Haxhiut, Vejseli. Emrin e çdo personi të kuruar Haxhiu e shënon në një libër të veçantë, i cili i shërben si regjistër i diagnozave që ka mundur të shërojë.

Është i ndërgjegjshëm se ka shumë skeptikë për mjekësinë që bën, por sërish mendon se shumë njerëz kanë gjetur shpëtim prej tij.

Top Channel