Moska mirëpret ligjin e Kievit për lindjen

17/09/2014 00:00

Ministria e Jashtme ruse ka mirëpritur ligjin e aprovuar të martën nga Parlamenti ukrainas, për t’u dhënë një status special rajoneve në lindje të Ukrainës dhe amnisti rebelëve pro-rusë.

“Është një hap një drejtimin e duhur që hedh bazat për fillimin e një dialogu me objektiv arritjen e pajtimit kombëtar”, ka thënë Ministria e Jashtme përmes një komunikate për shtyp.

Ligji duket se ka kënaqur edhe vetë Kremlinin, që duket se ka nxituar të thotë se Rusia është gati të plotësojë nevojën në rritje për gaz nga Evropa.

Konkretisht deklarata është bërë nga administratori i kompanisë Gazprom, Alexei Miller, por vetëm pas një takimi me presidentin Vladimir Putin.

Miller dhe Putin diskutuan për besueshmërinë e furnizimeve të metanit rus për Evropën, por pa përmendur rënien me 25 për qind të furnizimit të denoncuar nga Kievi.

Një ditë më parë Parlamenti ukrainas miratoi ligjet që i garantojnë autonomi të zgjeruar rajoneve lindore të vendit dhe amnisti të gjithë rebelëve separatistë pro-rusë që i janë kundërvënë autoritetit të Kievit prej muajsh me radhë.

Lëvizja shihet si një përpjekje e qeverisë ukrainase për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të vendit, që i ka marrë jetën më shumë se 3 mijë personave dhe ka zhvendosur mijëra të tjerë.

Masat e votuara nga Parlamenti të martën janë pjesë e marrëveshjes së armëpushimit dhe i hapin dritën jeshile autonomisë së zgjeruar për Luhanskun dhe Donetskun.

Sa i takon amnistisë, ajo u garantohet të gjithë drejtuesve dhe ushtarëve separatistë në Luhansk dhe Donetsk, duke përjashtuar vetëm autorët e rrëzimit të avionit të “Malaysia Airlines” në muajin korrik.

Ukraina dhe Perëndimi besojnë se fluturimi MH17 u rrëzua nga rebelët me raketa anti-ajrore ruse. Ata akuzojnë Moskën për mbështetje të vazhdueshme me armatime të sofistikuara dhe luftëtarë për rebelët, por si këta të fundit ashtu edhe Moska mohojnë akuzat.

Ligjvënësit ukrainas ratifikuan po të martën edhe marrëveshjen kufitare me BE-në, që nga ana tjetër u ratifikua në të njëjtën kohë në një sesion të Parlamentit Evropian.

Top Channel