Cameron: Nuk dorëhiqem në rast ndarjeje

17/09/2014 00:00

Kryeministri britanik David Cameron ka ritheksuar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen në rast se Skocia do të fitojë pavarësinë.

“Emri im nuk është në skedën elektorale, aty u kërkohet njerëzve nëse duan që Skocia të mbetet apo jo në Mbretërinë e Bashkuar. Për të ardhmen time do të vendoset në zgjedhjet e ardhshme politike britanike”, ka thënë Cameron.

Cameron, i cili dëshiron qëndrimin e Skocisë në Mbretëri, nënshkroi për këtë qëllim më herët gjatë javës një pakt me krerët e dy partive të tjera, Ed Miliband dhe Nick Clegg, ku premtohet më shumë decentralizim në Britaninë e Madhe, duke i dhënë më shumë pushtet drejtuesve të shteteve të veçanta.

Mbështetësit e pavarësisë e cilësojnë ofertën e Londrës si një fyerje dhe ngrenë pyetjen se, përse një ofertë e tillë mbërriti kaq vonë dhe pikërisht para referendumit skocez? Ndërsa kundërshtarët e pavarësisë vlerësojnë premtimin e Londrës si një vizion rreth të cilit mund të bashkohet edhe Skocia.

Baza e marrëveshjes së udhëheqësve britanikë qëndron në tre pika: zgjerimi i pushtetit për parlamentin skocez; një reformë në skemën e shpërndarjes së investimeve dhe burimeve njerëzore; si dhe dhënien e fjalës së fundit për qeverinë skoceze sa i përket asaj që njihet si NHS, ose fondi për shëndetësinë.

Duke folur më herët për BBC, kryeministri Cameron tha se, dhënia e më shumë kompetencave për Skocinë ka qenë gjithmonë pjesë e planit të tij.

“E kam thënë që prej fillimit të kësaj fushate, nëse Skocia do të votojë kundër ndarjes, pjesa tjetër e Britanisë do të thotë ‘po’ për të shkuar më tej. Unë mendoj që Skocia duhet të ketë më shumë decentralizim”, deklaroi Cameron.

Ditën e enjte, më 18 shtator, mund të marrë fund një epokë mbi 300-vjeçare nëse Skocia do të votojë për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar. Mbështetësit e pavarësisë thonë se është koha që Skocia të zgjedhë udhëheqësit e saj dhe të synojë vetë, pa kontrollin nga Londra.

Top Channel