Pas marrjes së statusit të vendit kandidat, një ekip i Komisionit Europian kryesuar nga drejtori për Zgjerimin, Jean Eric Paquet ka zbarkuar në Tiranë për t’i bërë një skanim ecurisë së reformave dhe hapave që duhet të ndjekë Shqipëria.

Për rreth 2 orë këto çështje janë diskutuar me ministren e Integrimit Klajda Gjosha. Në një prononcim për Top-Channel në fund të takimit, zoti Paquet ka thënë:

“Jam këtu për të vijuar punën me administratën dhe aktorët e tjerë kryesorë përsa i përket integrimit të Shqipërisë, tashmë pas marrjes së statusit të vendit kandidat në qershor. Në mënyrë të veçantë për të përgatitur dialogun e radhës të nivelit të lartë, ku komisioneri Fyle së bashku me kryeministrin Edi Rama, qeverinë dhe opozitën do të kenë më 29 shtator”, ka deklaruar Paquet.

A është Shqipëria në rrugën e duhur me përmbushjen e 5 prioriteteve që do të na çojnë drejt çeljes së negociatave për antarësim?

“Shumë punë është duke u bërë. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Ne do të shpenzojmë gjithë mëngjesin e së enjtes për të rishikuar gjithçka që është duke ndodhur me administratën publike, drejtësinë, shtetin ligjor për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, po ndodhin shumë gjëra të cilat do t’i rishikojmë teknikisht të enjten dhe më pas në dialogun e nivelit të lartë”, ka vlerësuar Paquet.

Drejtori për Zgjerimin në BE thotë se shpreson që partitë politike t’i shmangen konflikteve dhe t’i aderohen gjithëpërfshirjes.

“Siç edhe komisioneri e ka thënë, besoj po të njëjtën gjë ka thënë edhe opozita e gjithashtu qeveria, proceset integruese drejt BE-së duhet të jenë gjithëpërfshirëse sa më shumë që të jetë e mundur. Kjo është ajo që Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, sikurse edhe komisioneri dëshirojnë, sikurse ne shpresojmë ta shikojmë këtë më së shumti”, ka shtuar Paquet.

Top Channel