Gabimet skandaloze të teksteve shkollore

17/09/2014 00:00

Menjëherë pas nisjes së vitit të ri shkollor doli në dritë një problematik e rëndësishme për sa i përket teksteve shkollore.

Agim Leka, këshilltar i ministres së Arsimit dhe Sporteve ishte i ftuar në “Revistën Televizive të  Mbrëmjes” për të folur në lidhje me këtë problem, për mënyrën se si këto tekste janë lejuar të bëhen pjesë e programit mësimorë dhe mënyrë e korrigjimit të përmbajtjes së tyre.

Zoti Leka u shpreh i bindur se në saj të reformës së nisur nga Ministria e Arsimit, duke filluar nga viti tjetër shkollor nuk do të ketë tekste me gabime të tilla.

Pandi Gjata: Pse u lejua që ky vit shkollor të niste me këto tekste me gabime shumë të mëdha?

Agim Leka: Ministria e Arsimit është e vendosur dhe po punohet për një reformë cilësore edhe në fushën e teksteve mësimore. Kemi trashëguar nga sistemi i vjetër një kaos të vërtetë. I gjithë tregu i librit në Shqipëri vlonte nga një numër tekstesh jo cilësore me gabime të rënda shkencore, pedagogjike dhe gjuhësore. Sapo kemi ardhur në qeverisje kemi tërhequr nga tregu mbi 120 tituj tekstesh mësimore që kishin dobësi të theksuara. Asnjëri nga këta nuk o të ribotohet dhe nuk u përfshinë në katalogun e teksteve. Zvogëluam numrin e katalogut të teksteve nga rreth 1100 në 930 tituj tekstesh për këtë vit shkollor.

Pandi Gjata: Kjo do të thotë që mes tyre ka ende problematik?

Agim Leka: Sigurisht që ka problematik, por tekstet që kishin më shumë probleme janë hequr nga qarkullimi. Madje, 3 shtëpi botuese janë tërhequr nga sistemi i botimit të teksteve sepse nuk e përballonin një kërkesë të tillë me kërkesat e ministrisë.

Pandi Gjata: Një vit kohë në qeverisje, nuk ishte e mjaftueshme që ju t’i tërhiqnit të gjitha këto tekste nga qarkullimi?

Agim Leka: E vetmja gjë që në pengojë ishte ndryshimi i ligjit. Ligji të ndalon të kufizosh alternativat e teksteve të shtëpive botuese. Botuesit kanë të drejtë me ligj të paraqesin të gjitha alternativat përpara tregut të librit. Çdo kufizim që do të bënte Ministria e Arsimit në mënyrë arbitrare do të ishte e kundërligjshme dhe me një pasojë për buxhetin e shtetit sepse do të kalonte procese gjyqësore për ‘dëmet’ që duhet të paguante buxheti i shtetit.

Pandi Gjata: Por dëmi po u bëhet fëmijëve me këto tekste skandaloze.

Agim Leka: Ne duhet të gjenim një alternativ të ligjshme. Kemi hartuar draftin për të ndryshuar legjislacionin në sistemin e teksteve. Gjithashtu kemi ndryshuar krejt sistemin e sjelljes me botuesit. Kemi mbledhur mijëra fletë me ankime nga anketat me mësuesit. Katalogu i teksteve ishte i shoqëruar edhe më shënimin se, nëse botuesit nuk do të reflektonin ndaj teksteve ata do të penalizoheshin. Për herë të parë në Shqipëri të gjithë mësuesit i kanë zgjedhur vetë tekstet, duke parë cilësinë e tyre.  

Pandi Gjata: A duhet ta heqim praktikën që mësuesit të zgjedhin tekstet?

Agim Leka: Jo sepse në tërë vendet tekstin e zgjedhin mësuesit, por Ministria e Arsimit po ngre një sistem të tërë të përgatitjes dhe përzgjedhjes së teksteve sipas standardeve.

Pandi Gjata: Nëse unë jam një autor teksti dhe marr të drejtën për të shkruar një tekst, kush ma kontrollon tekstin që unë shkruaj?

Agim Leka: Ne kemi 32 shtëpi botuese, Amerika ka 13, Kroacia ka 6, këtu fillon absurdi i situatës. Këtu filtri është sistemi i ri që ne po ngremë.  

Pandi Gjata: Sa kohë duhet për të hartuar një tekst të ri?

Agim Leka: Për të prodhuar një tekst të ri standardet europiane janë të ndryshme, por variojnë nga 8 muaj deri në 1 vit gjysmë.
 
Pandi Gjata: Kjo do të thotë që ky vit do të përfundojë për të gjithë nxënësit me tekste me probleme apo ju keni dhënë urdhër që të tërhiqen edhe nga qarkullimi?

Agim Leka: Vitin e ardhshëm do të ketë një zvogëlim të ndjeshëm të alternativave të teksteve. Vetëm për klasën e parë, deri në klasën e katërt, nga përzgjedhja e teksteve cilësore që është bërë këtë vit, 87 tituj tekstesh janë zgjedhur nga 0 deri në 100 tekste. Nuk ka asnjë sens që të ketë sërish vitin tjetër tekste që botohen në 100 apo 200 copë.

Pandi Gjata: Këto tekste problematike kush i tërheq nga tregu dhe me çfarë tekstesh do të zëvendësohen për këtë vit shkollor?
 

Agim Leka: Për këtë vit shkollor tekstet janë zgjedhur.

Pandi Gjata: Domethënë këtë vit nxënësit do të mësojnë me këto gabime skandaloze?

Agim Leka: Jo nuk mund të themi që ka gabime skandaloze. Ka disa tekste që mund të kenë gabime, do të verifikohen secili, por nuk mund të themi që nuk është bërë korrigjimi. Shpesh ne bëjmë shumë zhurmë për pak gjë. Jemi konsultuar me mësuesit dhe na kanë thënë se tekstet e publikuara nuk janë marrë nga tekstet shkollore të fizikës.

Pandi Gjata: Domethënë, duke filluar nga 2015 nuk do të ketë më tekste të tilla?

Agim Leka: Jam i sigurt që reforma në 2015-2016 arrin kulmin e zhvillimit të saj dhe përpara nxënësve nuk do të ketë tekste me kaq shumë gabime.

Top Channel