Plani amerikan kundër ISIS

18/09/2014 00:00

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar planin e Presidentit Obama për të armatosur dhe stërvitur rebelët e moderuar në Siri.

Votimi në Dhoma e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët kaloi me 273 pro dhe 156 kundër, tashmë pritet të miratohet nga Senati, me shumicë demokrate.

Miratimi erdhi pasi Presidenti Obama përsëriti edhe një herë se nuk do të ketë dërgim të trupave në Irak. SHBA ka ndërmarrë deri tani 174 sulme ajrore kundër ISIS në Irak që prej mesit të gushtit.
 Nga sulmet e fundit ajrore të ditës së martë dhe të mërkurë u shkatërruan dy automjete të ISIS në veriperëndim të Irbilit dhe disa njësi në jugperëndim të Bagdadit.

Presidenti tha se strategjia për të luftuar terroristët ka 4 pjesë kryesore. Prioriteti i parë është një fushatë sistematike e sulmeve ajrore. Duke punuar me qeverinë e Irakut ai tha se do të zgjerojmë përpjekjet për të mbrojtur popujt e kërcënuar.

Më tej operacioni do të shtojë mbështetjen për forcat që luftojnë ISIS-in në terren. Së treti do të rrisë bashkëpunimin me partnerët për të luftuar terrorizmin. Dhe së fundmi do të dërgohen ndihma humanitare për civilët që terroristët ISIS kanë zhvendosur me dhunë.

Top Channel