Motra e Golemit: Faji i Elivarit? S`ka para dhe mbështetje të fortë

18/09/2014 00:00

“Elivar Golemi ka faj vetëm për faktin se nuk ka para dhe nuk ka
mbështetje shumë të fortë”. Kështu shprehet Valjeta Golemi, motra e
ish-inspektores së përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, e cila ishte e
vetmja që u la në burg nga gjashtë personat, mes tyre edhe Fullani, që
apeluan masat e sigurisë.

Motra është e bindur se Elivari Golemi nuk ka bërë asnjë krim në skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve dhe shprehet se nuk kërkon të bëjë presion dhe të ndërhyjë te drejtësia, por kërkon që drejtësia të funksionojë për të gjithë njëlloj. Këto deklarata janë bërë dje paradite në sheshin “Nënë Tereza” në Shkodër, ku për herë të dytë një grup grash dhe vajzash, por dhe ata që kanë punuar me Golemin protestuan paqësisht duke kërkuar lirimin e saj.

“Duam zbatimin e njëjtë të ligjit për të gjithë”, u shprehën protestuesit, mes të cilëve ishte edhe Valjeta Golemi e cila kërkon që motra e saj të gjykohet me arrest shtëpie, jo si një kriminele, por si një person me dinjitet. “Kërkojmë që drejtësia të funksionojë për të gjithë njëlloj. Gjërat nuk janë të drejta. Isha atë ditë në sallën e Apelit. Ishte hera e parë që iu dha e drejta për të folur. Kur gjykatësi e pyeti për auditet ajo dha sqarime se ato ishin zhvilluar dhe protokolluar pranë Këshillit Mbikëqyrës dhe një kopje pranë Komisionit të Ekonomisë.

Ndërsa prokurori deklaronte se nuk ishte në dijeni të tyre”, thotë ajo. Duke bërë një paralelizëm mes faktit që Fullani u lirua ndërsa Elivari jo, Valjeta thotë se i vetmi faj i motrës së saj është se nuk ka mbështetje të fortë dhe as para. “Si mund të bëhet një akuzë kur prokuroria nuk është në dijeni të dokumentit që ekzistojnë? A mund të zhvillohet akuza kur prokuroria nuk ka marrë të gjithë informacionin e nevojshëm. Të zbatohen të drejtat e njeriut për motrën time. Nëse ligjet shqiptare parashikojnë që shkallët e ndalimit janë të ndryshme, ajo mund të hetohet në një masë më të lehtë. Mund të ndalohej për mosprishje të dokumenteve. Por ato janë depozituar pranë organeve përkatëse dhe nuk kishte si t’i dëmtonte. Faji i saj i vetëm është se nuk ka mbështetje shumë të fortë e nuk ka para. Nuk jam kundër lirimit të Fullanit, sepse është e drejtë e tij, por siç u bë për të drejtësia të veprojë për motrën time. Për motrën time jam shumë e bindur që është e pafajshme. Por megjithatë t’i lihet hetimit, drejtësia të jetë e njëllojtë”, thotë Golemi. Sytë e familjarëve dhe mbështetësve të Elivar Golemit janë kthyer nga Gjykata e Lartë. Mbrëmjen e 5 shtatorit 2014, Golemi u arrestua së bashku me guvernatorin Ardian Fullani për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve nga thesari i BSH-së. Por, ndryshe nga Fullani, i cili të hënën e 15 shtatorit u lirua nga qelia dhe hetimet do të vazhdojnë teksa ai ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpi”, Elivar Golemi vazhdon të jetë në qelitë e paraburgimit të 313-s.

Top Channel