Fushata e arrestimeve të imameve në Kosovë

18/09/2014 00:00

Bashkësia Islame e Kosovës u ka dalë në mbrojtje imamëve të saj që u arrestuan të mërkurën në mëngjes nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për nxitje të kosovarëve për pjesëmarrje në luftën e Sirisë.

Kryesia e BIK-ut, pas një mbledhje që ka mbajtur të enjten ka lëshuar një komunikatë për media përmes të cilës ka thënë se imamët e saj, punën dhe aktivitetin e tyre e bazojnë në parimet hyjnore islame, ndaj, sipas Bashkësisë Islame, edhe ligjërimet e imamëve nëpër xhami janë zhvilluar në këtë frymë.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës beson në pafajësinë e imamëve të arrestuar, përderisa organet e drejtësisë nuk dëshmojnë të kundërtën.

Ndërkohë, të enjten paradite, imamët e arrestuar një ditë më parë kanë dalë para gjykatësve në një seancë dëgjimore në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Ndërsa kryeimami i xhamisë së madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi po trajtohet nga ana e drejtësisë ndaras nga 14 të arrestuarit e tjerë. Paneli i gjykatësve në rastin e Krasniqit ka marrë vendim që seanca gjyqësore e parashikuar të mbahet të enjten, të shtyhet për një ditë më vonë.

“Ai është dyshuar për veprat ‘shtytje për mjesëmarrje në terrorizëm’ dhe ‘pastrim parash’. Gjatë deklaratës që ka dhënë, klienti im ka deklaruar dhe i ka kundërshtuar me argumente të gjitha ato për çka është pyetur nga hetuesit. Por për çudi, Prokuroria në të njëjtën kohë nuk i ka dhënë vetes afatin për t’i verifikuar përgjigjet e tij”, ka deklaruar Sevdali Zejnullahu, avokat i Shefqet Krasniqit.

Edhe Skender Musa, avokat i Fuad Ramiqit, që është njëri nga liderët e lëvizjes politike LISBA, ka thënë se akuzat ndaj klientit të tij janë absurde.

“Sa i përket klientit tim, Fuad Ramiqit, ai akuzohet për ‘thirrje për rezistencë’ në bazë të një emisioni televiziv që ka dhënë në televizionet e Kosovës. Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë se me çfarë është shkelur Konventa Evropianë e të drejtave dhe lirive të njeriut për shkak se debati apo shprehja e opinioneve në Kosovë nuk është e ndaluar”, ka thënë Musa.

Deri tani në Kosovë janë arrestuar 55 imamë dhe aktivistë të njohur lidhur me dyshimet se kanë nxitur dhe kanë dërguar qytetarë të Kosovës për të luftuar në Siri.

Top Channel