F1, Raikkonen: Besoja se do të ishim më të shpejtë

18/09/2014 00:00

“Do të japim maksimumin në garat e fundit të sezonit, por do të jetë e vështirë.” Kimi Raikkonen nuk jep shpresa për tifozët e Ferrarit kur flet nga Singapori, aty ku do të zhvillohet gara e 14 e Botërorit të Formulës 1 gjatë fundjavës.

Sipas tij, “Kokëkuqja” do të bëjë një tjetër garë larg podiumit, ashtu siç ka bërë gjatë gjithë sezonit.

“Nuk mendoja se do të kishim kaq shumë vështirësi. Isha i bindur se do të ishim më të shpejtë”, tha piloti finlandez, i cili foli edhe për rregulloren e re për komunikimet në radio me bokset.

“Unë nuk flas shumë në radio, por mund të krijohen probleme kur makina nuk shkon mirë. Do të vështirësohen gjërat për pilotët”, deklaroi Raikkonen.

Në fund, finlandezi foli edhe për largimin e Montezemolos: “Kur gjërat ndryshojnë, vijnë rezultate më të mira.”

Top Channel