LDK-AAK-NISMA: I kemi numrat për krijimin e institucioneve

18/09/2014 00:00

Liderët e koalicionit LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje kanë deklaruar pas
dështimit të seancës konstituive të Kuvendit se koalicioni i tyre i ka
numrat e nevojshëm për formimin e institucioneve dhe sipas tyre, PDK
është ajo që po mban  peng krijimin e institucioneve të reja.

“Ne do të kërkojmë debat në Kuvend sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese kërkon që deputetët ta gjejnë zgjidhjen. Ne konsiderojmë se deputetët do ta gjejnë zgjidhjen në mënyrë më të mirë, që tat ë bëjnë debat në Kuvend dhe zgjidhja del si rezultat I debatit të shumicës së deputetëve”, thotë Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.  
 
Në emër të koalicionit pas zgjedhor, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka lexuar një deklaratë për media.
 
“Koalicioni i shumicës parlamentare konsideron se, duke u bazuar në pikën 127 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin Nr. KO 119/14, të 26 gushtit 2014, e ka të drejtën, mundësinë dhe zgjidhjen për të konstituar Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe pastaj për të vijuar me formimin e Qeverisë së re”, tha Kurti.
 
NISMËN për Kosovën të enjten e ka përfaqësuar Bilall Sherifi nga Fatmir Limaj ndodhej në seancë gjyqësore për rastin “Kleçka”.
 
Zyrtari i lartë i NISMËS ka thënë se në përputhje me pikën 127 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila obligon deputetët që të gjejnë zgjidhje, blloku pas zgjedhor do të veproj për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
 
Por në PDK nuk kanë asnjë dilemë tanimë se dikush tjetër pos tyre mund të propozojë kryeparlamentarin.

 Nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi ka thënë se vendimi i Kushtetueses është shumë i qartë, ndërsa ka thënë se partia e parë është e hapur për diskutime dhe për marrëveshje politike, qoftë edhe duke bërë kompromise.

  “E para është që duhet të ulemi, duhet të bisedojmë, negociojmë, pastaj të shohim secili interesin edhe të vendit në radhë të parë, pastaj të subjekteve politike dhe individëve…Ju e patë sot se nga hera e kaluar gjendja ishte pak më e relaksuar. Unë besoj se ditët që do të vijnë do ta shtensionojnë situatën dhe zgjidhje do të ketë”, u shpreh Kuçi.  

Top Channel