F1, Alonso mërzitet nga zërat e merkatos

18/09/2014 00:00

Një javë e mbushur me lajme merkatoje e ka mërzitur shumë Fernando Alonson. Piloti spanjoll i Ferrarit doli para mediave në cirkuitin e Marina Bay-t duke shprehur hapur pakënaqësinë e tij mbi zërat e merkatos që flasin për një shkëmbim mes tij dhe Vettelit.

“Kam trefishin e pikëve të shokut tim të skuadrës, po zhvilloj ndoshta sezonin tim më të mirë me Ferrarin, por çdo të enjte më duhet të përgënjeshtroj lajmet që vijnë nga Italia”, tha dy herë kampioni i Formulës 1 me makinën Renault.

Alonso këmbënguli se lajme të tilla i bëjnë dëm ambientit ferrarist: “Kjo nuk i bën mirë askujt. Gjithmonë jam munduar të krijoj harmoni në skuadër dhe habitem nga fakti që zëra të tillë lindin në Itali. Mbase brenda disa javësh do të filtroj unë informacione që më interesojnë dhe do të ketë persona që do të mërziten.”

Top Channel