BERZH: Europa Juglindore në ngërç

18/09/2014 00:00

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim deklaron se situata ekonomike
në Europën Juglindore është përkeqësuar për shkak të përmbytjeve masive
në disa vende dhe krizës bankare në Bullgari.

Në një raport të bërë publik këtë të enjte, BERZH ka korrektuar në ulje rritjen mesatare të prodhimit për ekonomitë e rajonit nga 2.2 për qind që parashikonte në maj në 1.9 për qind.

Për Shqipërinë, vlerësimi është mbajtur i pandryshuar me atë të fillimvitit. Sipas Berzh ekonomia shqiptare do të rritet këtë vit me 1.7 për qind, nga 1.4 për qind. Banka thotë se ky përmirësim i lehtë krahasuar me një vit më parë, lidhet me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit.

Megjithatë edhe me këtë shifër Shqipëria mbetet një nga ekonomitë me rritjen më të ulët në rajon. Shumica e vendeve fqinje sipas BERZH do të kenë një rritje më të lartë të prodhimit. Prej gati dy dekadash Shqipëria ishte ekonomia me rritjen më të shpejtë në Europë. Por në vitin vitin 2012, jo vetëm që e humbi rekordin por ra në fundin e listës. Që pas atij viti, rritja vjetore e prodhimit ka qenë gjithmonë nën mesataren e rajonit duke zbritur në nivele gati stanjative rreth 1 për qind.  

Pasojat kanë qënë të forta, si në përkeqësimin e financave publike ashtu dhe rritjen e shpejtë të papunësisë. Berzh thotë se vitin tjetër rritja do të shkojë në 2.5 për qind duke mbajtur një skenar më pak optimist se ai që vlerëson FMN dhe qeveria shqiptare, të cilat presin një ringritje më të shpejtë të ekonomisë.  

Top Channel