PD: Ndryshimi i buxhetit është mashtrim

18/09/2014 00:00

Deklarata e Kryeministrit Edi Rama për rishikimin e buxhetit për shkak
të rritjes së të ardhurave me 32 milionë dollarë, për Partinë
Demokratike është thjesht një mashtrim i pastër, sepse, siç thote
opozita, pavarësisht rritjes së taksave, doganat dhe tatimet nuk kanë
realizuar objektivin. 

“Të ardhurat e 8 mujorit flasin jo për tejkalim të të ardhurave të qeverisë qendrore, por për mosrealizim të tyre për 624 milionë lekë edhe pse programimi i të ardhurave ishte me rendimentin me të ulet fiskal në 10 vjetët e fundit dhe u parapri nga një rritje drastike e taksave”, tha ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.
 
Duke iu refruar deklarates se Kryeministrit se Qeveria do te jape 150 milionë USD per investimet publike, ish-ministri i Financave tha se kjo eshte manover qe ndryshon burimin e financimeve dhe jo rritje e tyre.

“Në fakt, ajo që po përgatitet në buxhetin e ndryshuar nga qeveria, është thjesht zëvendësimi i financimit me kredi të huaja afatgjata që i japin borxhit publik siguri në kohë dhe shtojnë valutë likuide në ekonomi, me zgjatjen duart në sistemin tonë bankar ku paratë meren më kollaj, por që kushtojnë më shumë, shpenzohen më keq dhe shterojnë burimet e financimit për biznesin privat”, tha Bode.

Sipas Partise Demokratike treguesit faktojne se financat publike po përkeqësohen per shkak te keqmenaxhimit te Qeverise, e cila edhe pse po merr më shumë borxhe, po investon më pak në ekonomi.

“Të dhënat e 8 mujorit, Qeveria ka marrë një hua të re që kap shumen e 725 milionë USD ose 305 milionë dollarëve më shumë nga një vit më parë. Dhe kjo ka ndodhur kur investimet publike janë 220 milionë dollarë më pak, kur rrogat nuk u rritën, kur pensionet u rritën me 1/3 e rritjes së mëparshme. Ajo që është duke ndodhur janë vetëm arnime buxhetore që synojnë të rialokojnë dështimet apo paaftësinë e qeverisë”, tha Bode.

Top Channel