OSBE, raporton për Shqipërinë

18/09/2014 00:00

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig,
paraqiti paraditen e të enjtes në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në
Vjenë raportin vjetor për Shqipërinë, ku fillimisht analizohet puna
1-vjeçare e qeverisjes së koalicionit të majtë.

“Edhe pas një viti, është e vështirë të gjykosh nivelin e përgjithshëm dhe qëndrueshmërinë e progresit. Qeveria ka dhënë prova se është e aftë për veprime konkrete, për shembull, duke rritur përpjekjet për të luftuar korrupsionin përmes ndryshimeve në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, përmirësimit të aksesit në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe të trafikimit, apo masave për fuqizimin e drejtpërdrejtë ekonomik të grave në familjet në nevojë”, thotë Raunig.

Me tej, raporti ndalet në punën e policisë së shtetin me fokus operacionet antikanabis në Lazarat.

“Më të dukshmet ishin arritjet në hapat e hershëm kundër kultivimit të drogës: përpjekja e suksesshme për të rivendosur kontrollin në Lazarat, qendra famëkeqe e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, është pasuar nga operacione të ngjashme në zona të tjera të vendit. Qeveria, po ashtu, ka dëshmuar qëndrueshmëri në drejtimin e një reforme strategjike dhe aq të domosdoshme në strukturën e qeverisjes vendore. Ky vrull çoi në arritjen më domethënëse gjatë periudhës së raportimit: vendimin e Këshillit Evropian, në qershor 2014, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian”, thuhet më tej.

Prezenca, thotë ambasadori i OSBE-se, angazhohet rregullisht me qeverinë, për të diskutuar dhe identifikuar mundësitë për bashkëpunim dhe fushat me përparësi, si edhe me opozitën, për ta nxitur të marrë pjesë në mënyrë aktive dhe konstruktive në promovimin e institucioneve demokratike në Shqipëri.

“Polarizimi politik ka dëmtuar punën dhe atmosferën në parlament. Opozita nuk ka marrë pjesë aktive në disa procese të rëndësishme reformash dhe një numër i konsiderueshëm paketash legjislative të rëndësishme është miratuar vetëm me votat e shumicës. Pas një përballjeje verbale dhe, më pas, fizike në parlament mes dy deputetëve të shumicës dhe njërit të opozitës në korrik, opozita vendosi të bojkotojë të gjitha procedurat parlamentare deri në një njoftim të dytë”, raporton ambasadori.

Sikurse edhe në raportet e shkuara, drejtësia vijon të marrë një vlerësim negativ. Pranohet gjerësisht, thekson raporti, se në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare, se korrupsioni në gjyqësor është një nga pengesat themelore për një demokraci plotësisht funksionale në Shqipëri.

Top Channel