Gaza, Arabia Saudite premton 500 mln USD

18/09/2014 00:00

Arabia Saudite ka premtuar një shumë prej 500 milionë dollarësh për të ndihmuar në rindërtimin e Gazas, ka bërë të ditur kryeministri palestinez Rami al-Hamdallah gjatë së enjtes, ndërkohë që kostoja e përgjithshme e rikonstruksioneve të pasluftës pritet të kapë shifrën e 4 miliardë dollarëve përgjatë 3 viteve.

Angazhimi i Arabisë Saudite vjen përpara një konference në Kajro më 12 Tetor, kur liderët palestinezë do të shpresojnë që të tjerë donatorë, përfshi Turqinë, Katarin, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, të hedhin një hap më tej pas premtimeve për mbështetje.

“Arabia Saudite ka nisur dhënien e ndihmave duke premtuar 500 mln dollarë”, tha Hamdallah për reporterët në Gaza, duke folur përmes një videokonference nga Bregu Perëndimor. Ai tha se shpreson që të tjerët që janë angazhuar për ndihma të mbulojnë koston e përgjithshme për rindërtimin e Rripit të Gazas në kohën e duhur.

Rreth 18 mijë shtëpi u shkatërruan gjatë luftës 7-javore, ndërsa rreth 40 mijë të tjera janë dëmtuar në pjesë të mëdha.

Infrastruktura kryesore, si rrugët, urat dhe impiantet e trajtimit të ujrave janë dëmtuar rëndë, ndërsa stacioni i vetëm energjitik i Gazas ka nevojë për një rindërtim tërësor. Dhjetra fabrika në periferitë e zonave rezidenciale janë goditur ndjeshëm nga bombardimet me artileri të rëndë.

Lufta, e cila nisi më 8 Korrik, teksa Izraeli u angazhua se ishte i vendosur t’i jepte fund lëshimit të raketave nga Gaza, la më shumë se 2100 palestinezë të vdekur, shumica e të cilëve civilë. 67 ushtarë izraelitë dhe 6 civilë u vranë në palën tjetër të luftës.

Përllogaritjet e Hamdallah janë të fundit e një serie të tillë, që kanë bërë të ditur se kostoja e rindërtimit të territorit të bllokuar, vendbanim i rreth 1,8 milionë njerëzve, shkon nga 3 miliardë në 7,8 miliardë dollarë.

Top Channel