Kievi: Moska, ushtarë rusë në Krime

18/09/2014 00:00

Rëndohen papritur tensionet në lindje të Evropës. Kriza ukrainase ka vënë në lëvizje diplomacinë evropiane, e alarmuar nga lajmet e fundit të dhëna nga autoritetet e Kievit.

Zëdhënësi ushtarak i Ukrainës, Andrii Lisenko ka deklaruar se Moska ka vendosur 4 mijë ushtarë në veri të Krimesë, në kufirin administrativ me Ukrainën.

“Sipas informacioneve të mbledhura në rrugë operative, të gjitha repartet operative ruse të vendosura në pjesën veriore të Krimesë së pushtuar, rreth 4 mijë trupa, janë vendosur në kufirin administrativ me Ukrainën, me të gjitha mjetet dhe municionet e tyre”, ka thënë Lisenko.

Sipas zëdhënësit, repartet ruse janë sistemuar në grupe të vogla taktike, nga Gjiri i Karkinitskit në majën e Arabatskit, ndërkohë që nga Moska po përdoren avionë të telekomanduar për mbikëqyrjen e zonës në jug-lindje të Ukrainës.

Në ditët e fundit ministri rus i Mbrojtjes, Serghiei Shoigu kishte njoftuar nevojën e vendosjes në Krime të një numri trupash për shkak të rëndimit të situatës në Ukrainë dhe nga rritja e pranisë ushtarake të huaj në kufi.

“Presidenti Putin duhet të mundësojë zbatimin e menjëhershëm dhe konkret të angazhimeve të marra në Minsk dhe të tërheqë trupat ruse nga lindja e Ukrainës”, ka reaguar ndërkohë shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton.

Ndërsa kancelari austriak Werner Faymann do të zhvillojë në orët e ardhshme një bisedë telefonike me presidentin rus, ka bërë të ditur stafi i tij.

Por vetë Putin duket i palëvizshëm në qëndrimin e tij. Sipas gazetës gjermane “Sueddeustche Zeitung”, shefi i Kremlinit ka kërcënuar homologun Poroshenko se po të dojë është gati për një mega-ofensivë.

“Nëse dua, trupat ruse mund të jenë për dy ditë jo vetëm në Kiev, por edhe në Riga, Vilnius, Talin dhe Varshavë apo Bukuresht”, ka thënë ai në një bisedë telefonike.

Top Channel