ISIS pushton 21 fshatra. Pikaset droni mbi Siri

18/09/2014 00:00

Luftëtarët e Shtetit Islamik kanë rrethuar një qytet kurd në Sirinë veriore, pranë kufirit me Turqinë gjatë së enjtes, pasi kanë pushtuar rreth 21 fshatra në një ofensivë madhore që detyroi një komandant të apelonte për ndihmë ushtarake nga kurdët e tjerë në rajon.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po planifikojnë zgjerimin e veprimeve ushtarake kundër Shtetit Islamik, që i ka shtrirë rrënjët në Irak dhe Siri, një dron (avion i telekomanduar) është pikasur për herë të parë pranë territorit të kontrolluar nga Shteti Islamik në provincën e Aleppos, lajm ky i konfirmuar nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, që ndjek zhvillimet e luftës civile në Siri.

Ende nuk është bërë e ditur se kush po e drejtonte misionin zbulues të dronit. Por, Presidenti amerikan Barack Obama tha javën e kaluar se nuk do të hezitojë të godasë grupin e islamikëve radikalë, të cilët kanë shfrytëzuar Sirinë si një bazë për të avancuar planet e tyre për të ridizenjuar Lindjen e Mesme, sipas vizionit “radikal” të islamikëve sunitë.

Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme ajrore kundër Shtetit Islamik brenda territorit të Irakut prej javësh, ndërkohë që Obama autorizoi muajin e kaluar edhe fluturimet me mision zbulues mbi territorin sirian.

Luftëtarët e Shtetit Islamik, të armatosur me armatime të rënda përfshi tanke, kanë pushtuar një grup fshatrash pranë qytetit të Ayn al-arab, i njohur si Kobani nga kurdët, në një ofensivë që Observatori Sirian tha se kishte nisur gjatë natës së të martës.

Sipas tij, 21 fshatra kanë rënë nën kontrollin e Shtetit Islamik gjatë 24 orëve të fundit dhe grupi po avancon më thellë drejt qytetit.

“Kemi humbur kontaktet me shumë rezidentë që jetojnë në fshatrat e pushtuar nga Shtetit Islamik”, tha Ocalan Iso, zv/kreu i forcave kurde në Kobani, duke folur përmes Skype për Reuters.

Ai tha se grupi ka kryer masakra dhe ka marrë peng gratë në zonat e pushtuara së fundi, duke dhënë emrat e 28 anëtarëve të një familjeje të vetme, që thuhen të jenë marrë peng. Ende nuk është bërë e mundur të identifikohet llogaria e tij.

Kurdët kanë apeluar për ndihmë ushtarake nga grupet e tjera kurde në rajon, përfshi Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Mbështetja nga kurdët, të cilët u bashkuan nga Turqia, kanë ndihmuar në zmbrapsjen e Shtetit Islamik, duke mos lejuar sulmin ndaj Kobanit në Korrik.

Top Channel