SHBA, sërish sulme kundër ISIS në Irak

18/09/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme të reja kundër militantëve të ISIS në Irak. Avionë ushtarakë amerikanë, sipas CNN, kanë kryer një seri sulmesh ajrore, 4 prej të cilëve në afërsi të Bagdadit, në kuadër të angazhimit të Uashingtonit për të luftuar xhihadistët.

Presidenti Barack Obama ka mbledhur në Shtëpinë e Bardhë ekipin e tij për sigurinë kombëtare, për një azhornim mbi kërcënimin që kanoset nga qytetarët amerikanë që luftojnë përkrah xhihadistëve në Irak dhe Siri, si dhe për të bërë një përmbledhje mbi strategjinë e hartuar për të luftuar rrezikun në fjalë.

Pikërisht të mërkurën u transmetua një video e re kërcënuese nga ISIS dhe një postim ku u bëhet thirrje “ujqërve të vetmuar” për të kryer atentate në Amerikë me bomba artizanale.

Presidenti Obama do të ushtrojë kontroll të plotë mbi sulmet ajrore në Siri, me krerët ushtarakë që do t’u duhet të marrin autorizimin e tij.

Kështu shkruan “Wall Street Journal”, që citon burime të administratës amerikane, që raportojnë për përfundimet e takimit që Obama ka pasur në Florida me gjeneralët e Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara.

Sipas burimeve, kërkesat për të kryer sulme në Siri do të jenë shumë më të kufizuara krahasuar me lejet që janë dhënë e po jepen për të kryer sulme në Irak. E gjitha kjo, për të kufizuar rrezikun që Shtetet e Bashkuara të përfshihen më tej në luftën civile siriane, saktësojnë më tej burimet.

Megjithatë, për momentin presidenti amerikan nuk ka dhënë ende dritën jeshile për nisjen e sulmeve ajrore në Siri dhe për angazhimin e trupave tokësore, edhe pse gjeneralët vlerësojnë se në disa raste është e nevojshme aktivizimi i tyre.

Ndërkohë, presidenti iranian Hassan Rouhani e ka cilësuar si “qesharak” planin e SHBA për të udhëhequr koalicionin ndërkombëtar kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik.

Në një intervistë për NBC, Rouhani ka kritikuar konkretisht planin e presidentit Obama për të luftuar militantët e ISIS vetëm përmes sulmeve ajrore.

“Amerikanët druhen se do të shkaktojnë viktima në Irak? Ndoshta sulmet ajrore janë të nevojshme në disa rrethana, por duhet të bëhen vetëm me lejen e njerëzve të atij vendi”, ka thënë Rouhani.

Top Channel