Poroshenko kërkon më shumë mbështetje nga SHBA

18/09/2014 00:00

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko nisi një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara me objektiv shtimin e mbështetjes amerikane për t’u përballur me krizën, jo vetëm atë politike në Lindje të vendit, por edhe me krizën ekonomike që ka përfshirë Ukrainën disa muaj para se të rrëzohej Victor Yanukovych.

Ndalesa e parë e Poroshenkos ka qenë në Departamentin e Shtetit ku u prit nga Sekretari i Shtetit, John Kerry.

Pas Departamentit të Shtetit axhenda parashikon një takim kokë më kokë me presidentin amerikan, Barack Obama dhe më pas një fjalim i përbashkët në Kongres.

Ndërkohë, në një fjalim në Kongres, Poroshenko ka deklaruar se Ukrainës i duhen më shumë ndihma, si humanitare edhe ushtarake. “Batanijet dhe mjetet për shikim gjatë natës janë të rëndësishme, por lufta nuk mund të fitohet vetëm me batanije”, ka thënë presidenti ukrainas.

Ukraina akuzon Rusinë se vazhdon të mbështesë rebelët në lindje të vendit, por Moska mohon akuzat e tilla.

Poroshenko mbërriti në Uashington nga Kanadaja ku deklaroi se vendi i tij flaku tutje trashëgiminë e ish-Bashkimit Sovjetik me nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit me Bashkimin Europian.

Të paktën 3 mijë persona kanë gjetur vdekjen nga luftimet mes forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë në Donetsk dhe Luhansk, dy rajonet lindore të Ukrainës të shndërruar në qendrën e rezistencës së separatistëve pro-rusë.

Që prej 5 shtatorit është në fuqi një armëpushim i brishtë, megjithëse të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të tij. Armëpushimi u propozua nga Poroshenko gjatë takimit të Grupit të Kontaktit në Minsk të Bjellorusisë.

Të martën parlamenti ukrainas votoi ligjet që u garantojnë autonomi të zgjeruar rajoneve lindore dhe sigurojnë amnisti për të gjithë luftëtarët rebelë, përjashtuar këtu përgjegjësit e sulmit ndaj avionit MH17 të Malaysia Airlines. Po të martën u ratifikua edhe marrëveshja me Bashkimin Europian.

Ndërkohë, Bashkimi Europian ka refuzuar të komentojë një raport, sipas të cilit Presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar se do të dërgojë trupa jo vetëm drejt Kievit, por edhe në disa kryeqytete europiane në Europën lindore “brenda dy ditëve”.

Putin, sipas pretendimeve, ka përmendur qytetet e Rigës, Vilniusit dhe Talinit, ashtu sikurse dhe Varshavën dhe Bukureshtin. Këto vende janë gjithashtu anëtare të NATO-s.

Gjermanja “Sueddeutsche Zeitung” bëri të ditur se dokumenti i siguruar fshehurazi tregonte se Putin i kishte bërë këto kërcënime ndaj Poroshenkos, dhe se lideri ukrainas ia kaloi këto komente Presidentit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, gjatë fundjavës që ai ishte në Kiev.

Top Channel