Një tjetër britanik në duart e ISIS: Po fshihet e vërteta

18/09/2014 00:00

Në internet ka nisur të qarkullojë një video e re që tregon një tjetër shtetas britanik që besohet se mbahet peng nga militantët e ISIS.

ISIS ka ekzekutuar me prerje koke dy amerikanë dhe një britanik deri më tani dhe kërcenon me ekzekutimin e Alan Hanning, një tjetër britanik që shfaqet në fund të videos së ekzekutimit të David Haines.

Videoja e re është ndryshe nga të tre të parat. Nuk ka ekzekutime dhe është e xhiruar në ambiente të brendshme dhe nuk shfaqet asnjë militant i ISIS. Në të paraqitet një person që e quan veten John Cantlie, gazetar dhe reporter që ka punuar në Lindjen e Mesme si korrespondent për disa nga gazetat më të mëdha britanike.

Ai thotë se në nëntor të 2012 mbërriti në Siri për të raportuar mbi ngjarjet atje, por u mor rob nga militantët e Shtetit Islamik.

“Sot shumë gjëra kanë ndryshuar, përfshirë këtu shtrirjen gjeografike të Shtetit Islamik me zona të gjëra në Siri dhe Irak. Një shtrirje më e madhe edhe se Britania dhe shumë shtete të tjera”, shton më tej gazetari britanik.

Më tej ai pretendon se media perëndimore po manipulon informacionet, ndërsa shton se përvec Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të gjitha vendet e tjera Europiane kanë liruar shtetasit e tyre nëpërmjet bisedimeve me ISIS.

“Por ndryshe nga këto vende, Britania dhe Shtetet e Bashkuara refuzuan bisedimet. Çdo ngjarje ka dy të vërteta dhe ju po u thuhet vetëm njëra”, shton Cantlie duke mbyllur video-mesazhin me thirrjen për të ndjekur në video të tjera që do të publikojë në vazhdim.

Top Channel