Pajtohen “gjaqet” mes Vllaznisë dhe Tiranës

18/09/2014 00:00

Një javë pas dhunës masive që u shkaktua në stadiumin “Loro Boriçi”  mes tifozerisë së Vllaznisë dhe asaj të Tiranës, drejtuesit e dy klubeve janë takuar të enjten në Shkodër ku kanë shtrirë dorën e pajtimit mes dy klubeve.

Pasi kanë zhvilluar një takim me dyer të mbyllura që ka zgjatur rreth një orë drejtuesit e klubit të Vllaznisë dhe të Tiranës kanë dalë në një koferencë të përbashkët për shtyp.

Presidenti i klubit të Tiranës Refik  Halili është shprehur se klubi i Tiranës e mori këtë nismë për të ardhur në Shkodër me qëllim për të rregulluar marrëdhëniet mes dy tifozerive dhe përcjelljen e mesazhit për gjitha klubet se futbolli duhet duartrokitur.

“Nuk mund të rrinim pa ardhur. Ne duhet të ishim nismëtarët për të rregulluar këtë marrëdhënie. Ngjarja të harrohet dhe shpresoj që kjo të jetë një nismë për të gjithë klubet dhe tifozët që të jenë më të përgjegjshëm, më të vëmendshëm dhe të duartrokasin futbollin e bukur, qoftë e mikut, qoftë e ekipit të tyre”, deklaroi Presidenti i Tiranës, Refik Halili.

Po ashtu dhe drejtuesit e klubit Vllaznia përcollën mesazhin  e vazhdimësisë së miqësi mes dy klubeve.

“E falenderoj zotin Halili për këtë ardhje. Do të jetë i mirëpritur gjithmonë në Shkodër, siç ka qenë edhe më parë”, deklaroi zv.Presidenti i Vllaznisë, Isuf Isufi.

Sherri i krijuar një javë më parë  mes dy tifozerive në stadiumin “Loro Boriçi” provokoi një ngjarje që  nuk mbahej mend  të ketë ndodhur ndonjëherë në Shkodër dhe që përfundoi me 19 të plagosur, 41 të shoqëruar në polici dhe 13 persona të arrestuar dhe disa miliona lekë dëme.

Top Channel