Prejardhja e europianëve? Prej tri fiseve antike…

18/09/2014 00:00

Grupi genetik i Europës moderne është formuar pasi 3 popullsi antike u përzienë përpara 7 mijë vitesh, bën të ditur një raport i revistës “Nature”.

Gjuetarët me sy bojëqielli dhe zeshkanë u përzien me fermerët me sy kafe dhe lëkurë më të zbehtë, teksa këta të fundit mbërritën në Europë nga Lindja e Afërt.

Por, një tjetër popullsi e mistershme, me rrënjë siberiane, ka kontribuar gjithashtu në peizazhin genetik të kontinentit të vjetër.

Gjetjet e studimit janë të bazuara në analizimin e genomeve të 9 fiseve europiane antike.

Agrikultura e ka origjinën në Lindjen e Afërt, në atë që sot është Siri, Irak apo Izrael, përpara se të zgjerohej në Europë rreth 7500 vite më parë.

Prova të shumta tregojnë se kjo mënyrë e re jetese u përhap jo vetëm përmes shkëmbimit të ideve, por edhe prej një vale të gjerë migrimi, që u shumuan me indigjenët europianë, grumbuj gjuetarësh me të cilët u përballën në rrugë e sipër.

Por, supozimet mbi origjinën europiane janë bazuar kryesisht në modelet genetike të popujve që jetojnë ende sot. Shkenca e analizimit genomik të ADN-së, nga eshtrat antike, ka vënë përpara testimit disa prej teorive mbizotëruese, duke sjellë edhe disa surpriza.

ADN-ja genomike përmban instruksione biokimike për krijimin e një qenieje njerëzore dhe gjendet brenda bërthamave të qelizave tona.

Në studimin e fundit, shkencëtarë nga Shkolla Mjekësore e Harvardit kanë studiuar genomet e 7 grupeve të gjuetarëve nga Skandinavia, 1 grupi eshtrat e të cilit u gjetën në një varr në Luksemburg, si dhe një fermeri të hershëm nga Shtutgarti në Gjermani.

Gjuetarët erdhën në Europë mijëra vite përpara mbërritjes së agrikulturës, duke u akomoduar mes refugjatëve jugorë gjatë epokës së akullt, e më pas u zgjeruan gjatë një periudhe të quajtur Mesolitik, pasi akujt u shkrinë dhe u tërhoqën nga Europa qendrore dhe veriore.

Genet e tyre jetojnë edhe sot mes europianëve modernë, në një shkallë shumë më të gjerë në Verilindje, se sa në Jug.

Genomi i fermerëve të hershëm tregon gjurmë tërësisht të ndryshme. Profili genetik i tyre është tepër i përshtatshëm me popujt modern në Sardenjë, duke pasur shumë ndryshime nga gjuetarët indigjenë. Banorët e Sardenjës përfaqësojnë një popullsi të fermerëve të hershëm, të cilët u izoluan në ishullin mesdhetar, e më pas u ndikuan shumë pak nga migrimet e mëvonshme që ndryshuan pjesën tjetër të Europës.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel