“Radio Iliria” rikthen të kaluarën e hidhur

18/09/2014 00:00

“Radio Iliria” është pjesa që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar nga data 18 deri më 21 shtator.

Bazuar në një ngjarje të vërtetë dhe shndërruar në shfaqje teatrale nga Erand dhe Iris Sojli, trajtohet historia e një ish të burgosuri politik, interpretuar nga Arben Bajraktaraj dhe Mërkur Bozgo, e kaluara e të cilit i është kthyer në makth për të tashmen.

I dënuar për arsye absurde, atë të sintonizimit në një radio të huaj dhe për t’i mbijetuar vrasjes, u detyra të spiunojë, veprim që do t’i rëndojë në ndërgjegjje gjithë jetën.

Arben Bajraktaraj, aktor: Pali nuk është një hero, as anti-hero. Është thjesht një njeri me dhimbjen e vet edhe me ligësinë e vet.

Iris Sojli, skenariste: Për këta heronj kemi dashur të flasim që nuk janë heronj. Janë thjeshtë njerëz të brishtë që bëhen edhe më të brishtë përmes këtij sistemi, mbi të gjitha përmes atij sistemi të kaluar, që janë të pakuptueshëm dhe nuk mund të jemi aq të padrejtë sa të kërkojmë nga ata që të jenë të përkryer. Ata mbartin shumë plagë dhe ne me gjithë ato plagë kemi kërkuar t’i sjellim.

Mërkur Bozgo, aktor: Këta lloj njerëzish duhet të gjykohen krejt ndryshe nga ç’mund të mendohet se ai ka spiunuar në burg. Kush është shkaku i spiunimit? Kush e bëri të spiunojë? Që në torturë e kanë treguar shokun…  

Me interpretimin edhe të vetë aktores Erjeta Cufaj, kjo pjesë me histori nga e kaluara, synon të përcjellë mesazhe edhe për kohët e sotme.

Erand Sojli, regjisor/skenarist:
Nuk bëhet fjalë thjesht për të trajtuar burgun dhe vuajtjet e atyre të burgosurve. Bëhet fjalë që kjo pjesë ka një mision të caktuar që është për ta përmendur këtë shoqëri që është gjithmonë një pjellë e asaj shoqërie që ka qenë. Të përndjekur janë të gjithë, vetëm se janë ndarë në të përndjekur të djathtë dhe të përndjekur të majtë. Në fakt ka qenë një popull i tërë i përndjekur. Radio Iliria është sebepi për të thënë diçka dhe për ta mbylluar njëherë e mirë këtë histori dhe për t’i dhënë një impuls artit. Teatri duhet të jetë i pari që duhet të luftojë me këto tema.

Ori Kuçi, producente:
Dhuna që është bërë në atë kohë me apo pa dashjen tonë është bërë pjesë e jona. Ndjehemi sot të gjithë ‘të pasuruar’ me ligësi, me smirë, me urrejtje, me hipokrizi. Unë besoj që kjo është një shuplakë që Erandi dhe Irisi nëpërmjet artit e kanë përdorur Teatrin si urë për të kapur ndërgjegjjen tonë për të thënë që ky është fakti, ne nuk i ndryshojmë dot por është koha për t’i thënë boll dhe për të dashuruar veten.

Top Channel