Hakerat kinezë sulmojnë kontraktorët USA

18/09/2014 00:00

Hakera të lidhur me qeverinë kineze kanë depërtuar në kompjuterët e kontraktorëve ushtarakë e ajrorë të Shteteve të Bashkuara mbi 20 herë në një vit të vetëm.

Lajmin e ka bërë të ditur Senati i Shteteve të Bashkuara, sipas të cilit sulmet informatike kanë vënë në shënjestër sistemet për lëvizjen e trupave dhe pajisjeve.

Në këto sulme përfshihen edhe depërtimet në kompjuterët e anijeve tregtare dhe futja e viruseve në ata të kompanive ajrore, thotë raporti i Senatit.

Në këtë dokument janë paraqitur rezultatet e një hetimi njëvjeçar që përfundoi në muajin mars, por që sapo janë publikuar nga autoritetet amerikane.

Autoritetet kineze i mohojnë akuzat, por hetimi 12-mujor ka konstatuar prova për rreth 50 sulme informatike ndaj kompanive ushtarake private.

Prej tyre, 20 u janë atribuuar “kërcënimeve të vazhdueshme të avancuara”, një term ky që lidhet me sulmet ndaj qeverive, përgjegjësia e të cilëve i adresohet Kinës. Në raport nuk përmenden emrat e kontraktorëve të prekur nga sulmet.

“Këto sulme në rrjetet kompjuterike, që bëhen në kohë paqeje, janë provë e gjallë e aksioneve agresive të Kinës në hapësirën elektronike”, deklaroi senatori Carl Levin, kryetar i komitetit të hetimit.

Ndërkohë, ambasada kineze në Uashington e ka kundërshtuar raportin dhe i ka cilësuar akuzat “të pabaza”. Përplasja mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara mbi sulmet informatike zgjat prej kohësh.

Në muajin maj qeveria amerikane akuzoi pesë oficerë të lartë të ushtrisë kineze për hyrje dhe vjedhje sekretesh në sistemet kompjuterike të disa kompanive të mëdha amerikane.

Top Channel