“Kleçka”, mbrojtja refuzon panelin e gjyqtarëve

18/09/2014 00:00

Procesi gjyqësor për rastin “Kleçka”, ku është i pandehur Fatmir Limaj dhe ish-bashkëluftëtarët e tij, është ndërprerë të enjten me kërkesë të palës mbrojtëse.

Avokati i Limajt, Tomë Gashi tha për Top Channel se mbrojtja ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues, pasi sipas tij ky panel gjyqtarësh nuk është i paanshëm.

Vendimin për përjashtimin ose jo të këtij kolegji prej tre anëtarësh do ta marrë kryetari i Gjykatës së Apelit, ku po zhvillohet dhe procesi. Pas vendimit lidhur me këtë kërkesë do të caktohet dhe vazhdimi i seancave të radhës.

Procesi “Kleçka” u hap sërish ditën e mërkurë, edhe pse Limaj dhe të tjerët më parë janë shpallur dy herë të pafajshëm për të njëjtat akuza. Në seancën e djeshme dëshmoi vëllai i Agim Zogajt, i njohur më parë si “Dëshimtari X”, i cili vrau veten në vitin 2011 në Gjermani.

Lidhur me parashtrimin e pyetjeve sqaruese nga paneli i Gjykatës së Apelit nuk pati vërejtje as nga prokuroria e as nga ana e mbrojtjes. Seancat e radhës lidhur me rastin “Kleçka” janë caktuar në datat 23 dhe 25 shtator, si dhe më 26 të të njëjtit muaj nëse do të jetë e nevojshme.

Përveç Limajt, të akuzuar në këtë rast janë edhe Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj.

Seanca e së mërkurës pamundësoi pjesëmarrjen e liderit të Nismës për Kosovën në takimin e liderëve të bllokut opozitar. Për të njejtën arsye, Limaj nuk ka qenë i pranishëm as në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e mbajtur këtë të enjte.

Top Channel