SHBA, Hagel: Ushtria gati për të goditur në Siri

18/09/2014 00:00

Lidershipi më i lartë ushtark në SHBA ka miratuar planin për të sulmuar edhe shënjestrat e ISIS brenda Sirisë, gjë që Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, e ka deklaruar përpara një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve gjatë së enjtes.

Hagel tha se Presidenti Obama është njoftuar mbi këto plane, të miratuara nga vet Hagel dhe kreu i Shtabit të Përgjitshëm të ushtrisë, gjatë vizitës së tij në Komandën Qendrore ditën e mërkurë. Megjithatë, nga sa ka mësuar CNN, Obama nuk i ka nënshkruar ende këto plane.

Ndërkohë që ISIS vazhdon të përhapë regjimin islamik radikal në Siri dhe Irak, një sërë ligjvënësish amerikanë po debatojnë se cila është rruga më e mirë për t’i ndalur ata.

Të mërkurën, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi planin e Obamas për të armatosur dhe trajnuar rebelët sirianë. Por, Dhoma ndryshoi kurs kur erdhi puna e një projektligj për shpenzimet qeveritare, që do t’u lejonte liderëve të vazhdonin financimin e qeverisë amerikane, duke e dërguar atë në Senat. Këtë të enjte, Senati pritet të votojë të gjithë këtë si një paketë e vetme, duke nxitur kritika se ligjvënësit po i shmangen votimit të ndarë sa i përket armatosjes së rebelëve sirianë.

Senatorja Susan Collins, republikane nga Maine, tha për CNN se është vërtet e shqetësuar. “Do të vazhdoj të votoj për vazhdimësinë e rezolutës, sepse nuk dua që qeveria të bllokohet sërish”, tha ajo. “Deri më tani, Senati nuk ka parashikuar asnjë votim të ndarë mbi rezolutën siriane dhe kjo është thjesht gabim”.

Ushtria amerikane ka gjithçka nevojitet për të sulmuar objektivat e ISIS brenda Sirisë, por presin autorizimin e Presidentit për të vijuar më tej, thanë zyrtarë amerikanë të ushtrisë për CNN.

Top Channel