Ledia Sulaj: Prima balerina, vizitë në “Shkollën e Baletit”

18/09/2014 00:00

Ka vetëm 7 vjet që ka përfunduar Shkollën e Baletit, por i duket sikur ka dekada që është larguar prej aty.

Intensiteti i qindra shfaqjeve e dhjetra premierave e ka distancuar në kohë, atë që në fakt është aq afër fizikisht, vendin ku punon tani, Teatrin e Operas dhe Baletit, si dhe shkollën që e katapultoi për aty.

Prima balerina më e re e Teatrit të Operas dhe Baletit nuk e mendonte se do t’i krijoheshin të tilla ndjesi, kur të vinte këmbën në vendin, ku thurrte ëndrra për profesionin që kishte zgjedhur.

“Këtu po, shikoni u emocionova sepse, përveç se është klasa ime, kjo është edhe zysha ime përgjatë gjithë jetës, që prej moshës 5-vjeçare e deri në Akademinë e Arteve. Është prindi im i dytë, nuk ka gjë më të bukur se sa të shohësh zyshën, nxënësit teksa ushqejnë një pasion prej moshës 5-vjeçare e deri sa të bëhen dikush”, thotë Ledia.

“Më vjen shumë mirë teksa shoh këto vajza që punojnë dhe këtë uniformën shumë të bukur, me ngjyra njësoj për të gjithë. Doja të thoja se ne, në kohën tonë, nuk i kishim mundësitë, nuk gjenim dot kostumet njësoj, por gjenim ç’të mundnim dhe i kishim ndryshe nga njëra-tjetra. Madje dhe getat i ngjyrosnim me diçka që lëshonte ngjyrën rozë, në mënyrë që të ishim të gjitha vajzat njësoj”, shprehet Ledia, teksa kalon nga klasa në klasë.

“Edhe klasa e baletit e çunave është shumë e veçantë. Më kujtohet që kur kam qenë e vogël kisha dëshirë orën e duetit, gjatë së cilës punoja me djem. Ishte ai problemi se cili djalë do të më zgjidhte mua, apo do të kishte dëshirë të kërcente me mua. Fati im i mirë ishte që më zgjidhnin të gjithë”.
 
“Këto vajza janë në klasë të tetë dhe në kohën time, kur ishte shkolla 8-vjeçare, kishim gjithnjë atë mëdyshjen, ta vazhdojmë apo jo më tej. Unë s’e kam pasur ndonjëherë dyshimin, e them me pasion, me shpirt, por mamaja më thoshte se nëse nuk dilja mirë do të më hiqte nga shkolla. Ishte një lloj presioni që vleu shumë”.

“E dija që do të ishte ende kjo foto në mur dhe më vjen mirë që vazhdon të jetë, sepse është edhe një nga eksperiencat e mia më të bukura dhe më të mëdha gjatë karrierës sime deri tani. Bashkëpunimi me dy koreografë të mëdhenj nga Rusia, nga Moska, për mua është diçka e paharrueshme, por ishte një mundësi shumë e mirë që vetëm Shkolla e Baletit mund të na e jepte. Këtu është edhe një tjetër foto e imja”.

Ledia do të donte që të rikthehej sërish për të shpërblyer me eksperiencën e saj, gjithë dashurinë dhe përgatitjen që ka marrë në këtë shkollë, si mësuese.

Top Channel