Basha: Rama ka tradhtuar Vlorën

18/09/2014 00:00

Një takim me disa përfaqësues të demokratëve të Vlorës, kreu i opozitës Lulzim Basha e shfrytëzoi për të sfiduar kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se ka tradhëtuar zonën e tij elektorale me zgjedhjen në poste drejtuese të njerëzve me të kaluar kriminale, me rritjen e pasigurisë publike dhe me mosmbajtjen e premtimeve për hapjen e vendeve të reja të punës.

“Asnjë vend i ri pune nuk është hapur në Vlorë. Përkundrazi, bizneset janë detyruar nën presionin e taksave dhe paligjshmërisë qeveritare të mbyllin vendet e punës. Premtoi ligj për këdo, por shkatërroi pa ligj pronat, djersën dhe gjakun e vlonjatëve, ndërsa qesarajtë e Koços hedhin shtat dita ditës”, u shpreh Basha.

Sipas kreut të opozitës, i vetmi premtim i mbajtur nga kryeministri Rama është ai që e quan “asgjesim të parlamentarizmit”.

“Po e bën në dy mënyra. Llogaridhënia parlamentare nuk ekziston më. Nuk ka asnjë instrument të llogaridhënies parlamentare. Opozitës i është mohuar e drejta kushtetuese e komisioneve hetimore, edhe kur këtë e ka konfirmuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Pra, është maxhoranca e cila ka shkatërruar jetën parlamentare në Shqipëri, ka asgjesuar Parlamentin si koncept. Dhe së dyti, instalimi në Parlament i një instrumenti të dhunës të përbërë nga persona të dënuar për trafiqe, prostitucion dhe vrasje, për t’i mbyllur gojën opozitës, tregon qartë se maxhoranca nuk ka për qëllim të ketë një Parlament funksional, por ka për qëllim të ketë një opozitë fasadë. Partia Demokratike nuk ka qënë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë fasadë”, deklaroi Basha.

Në analizën e kreut të demokratëve, ndërprerja e marrëdhënieve të opozitës me Parlamentin është edhe një përpjekje për të rikthyer në vend standardet demokratike.

“Dhe kam bindjen e plotë se me forcën e argumentave, me objektiv interesin publik dhe jo interesin politik të opozitës apo të Partisë Demokratike, me mbështetjen e fuqishme të qytetarëve shqiptarë dhe faktorit ndërkombëtar, do t’ia dalim ta shpëtojmë Shqipërinë nga kjo mënyrë që është asgjesimi i Parlamentit dhe jetës parlamentare”, shtoi Basha.

Top Channel