Përvjetori i çlirimit të Gjirokastrës

18/09/2014 00:00

U përkujtua në qytetin e Gjirokastrës 70-vjetori i çlirimit me disa aktivitete të ndryshme. Një eskpozitë e kolonisë së piktorëve hapi festimet në sheshin e Çercizit e më pas marshuan në kuadrate përfaqësues të institucioneve dhe shkollave, para një tribune të improvizuar.

Organizimi ishte bërë nga bashkia dhe të pranishëm ishin edhe deputetët e qarkut, si dhe ish-presidenti Moisiu. Gjatë parakalimit u shfaq edhe një grup veteranësh me portretin e Enver Hoxhës, si dhe një parullë dedikuar diktatorit.

Pjesë e ceremonisë së 70-vjetorit ishte edhe Panairi i Biznesit në ambjentet Pallatit të Sportit në Gjirokastër. Aktivitetet për këtë ditë do të shtrihen edhe përgjatë fundjavës.

“Theksoj se është një event që e kemi bërë në gjithë Shqipërinë dhe që do kulmojmë me panairin e 28 Nëntorit në Prishtinë, ku do flitet shqip, do shitet shqip dhe do ekspozohet gjithçka në shqip”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

PD: U shfaqën gardistet e kuq
Paloka: Para vizitës së Papes nxjerrin foton e diktatorit

Ndërkohë, në Tiranë reagoi Partia Demokratike. Deputeti Edi Paloka tha se, në Gjirokastër u shfaqën gardistët e kuq vetëm disa ditë para vizitës së Papa Françeskut.

“Ky demonstrim qeveritar, tre ditë para vizitës së Papës, është fyerje për mesazhin që ati i shenjtë dha lidhur me vizitën e tij. Ai tha se do vizitojë një vend që ka vuajtur shumë nga regjimi ateist.

Ky demonstrim është një hipokrizi e ulët e Edi Ramës. Teksa Tirana e pret Papën me fotot të martirëve të klerit, qeveria bën paradë me fotot e vrasësve të priftërinjve.

PD e dënon këtë manifestim komunist nën kujdesin qeveritar dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të këtyre provokimeve pak ditë para vizitës së atit të shenjtë”, deklaroi Paloka.

Top Channel