Policia greke ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, të cilët hodhën nga ana e tyre bomba molotov dhe gurë në Athinë, gjatë një tubimi të enjten, që shënonte njëvjetorin e vrasjes së reperit antifashist nga një mbështetës i ekstremistëve të djathtë, Agimi i Artë.

Vrasja e 34-vjeçarit Pavlos Fyssas, i cili ndërroi jetë nga gjakderdhja në rrugë pasi ishte qëlluar me thikë, nxiti protesta anembanë Greqisë vitin e kaluar dhe detyroi nisjen e një hetimi ndaj Agimit të Artë për të gjetur prova që e lidhnin këtë parti me sulmet e dhunshme.

Me mijëra vetë u mblodhën gjatë së enjtes në rajonin e klasës punëtore të Keratsinit, aty ku Fyssas u ther me thikë. Reperi performonte këngë të ndryshme antiraciste dhe njihej me emrin artistik Killah P.

Dhuna që zgjati shumë pak, nisi pasi dhjetra demonstrues të maskuar dolën nga turma fillimisht paqësore gjatë marshimit dhe policia nisi ndjekjen e tyre mes trazirave nëpër rrugë.

Të paktën 4 banka, 2 dyqane dhe një kioskë janë sulmuar, tha një zyrtar i policisë.

Të veshur me bluze të bardha, ku shkruhej “Ne nuk harrjomë”, demonstruesit marshuan përmes rrugëve që prej mëngjesit të së enjtes, duke mbajtur në duar edhe parrulla ku lexohej “Pavlos është gjallë, shtypini fashistët!”.

Qindra vajtues vendosën lule dhe ndezën qirinj në vendin ku ai ndërroi jetë dhe ku një monument që përshkruan Fyssasin me mikrofon në dorë është ngritur.

Top Channel