Llalla vijon vizitën në Kosovë

18/09/2014 00:00

Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë delegacioni i Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë, i kryesuar nga kryeprokurori Adriatik Llalla, është takuar në ambjentet e Prokurorisë së Shtetit të Kosovës me një grup hetuesish të kryesuar nga homologu Sylë Hoxha.

Ky takim, i zhvilluar me një përbërje më të gjerë të dy prokurorive, pason takimin e zhvilluar mes tyre një ditë më parë. Sipas një njoftimi për shtyp, dy palët kanë biseduar për hetime me interes të përbashkët dhe kanë shkëmbyer opinionet përkatëse mbi aktivitetet hetimore.

Delegacioni i prokurorisë shqiptare tha se është duke e përcjellë me vëmendje dhe interes punën e kolegëve kosovarë, sidomos operacionet e kohëve të fundit.

Ndonëse në njoftim nuk saktësohet se për cilat operacione bëhet fjalë, në rrugë jozyrtare mësohet se pala shqiptare i është referuar aksioneve kundër ekstremizmit fetar, që kanë çuar në disa dhjetëra persona të arrestuar.

Gjatë takimit është biseduar edhe për nismat rajonale të sistemeve prokuroriale, për të cilat organi kosovar i akuzës ka marrë premtimin e prokurorisë shqiptare për mbështetje.

Edhe në takimin e sotëm dy delegacionet rendësi të veçantë i kanë kushtuar thellimit të bashkëpunimit dhe koordinimit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe dukurive të tjera ilegale.

Top Channel