KS i OKB: Ebola, kërcënim global

18/09/2014 00:00

Shpërthimi i virusit Ebola në Afrikën Perëndimore është vlerësuar edhe nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së si një “kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Këshilli miratoi njëzëri një rezolutë që i bën thirrje shteteve për të siguruar më shumë burime për të luftuar virusin.

Një takim urgjent i Këshillit u paralajmërua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, pas shtimit me ritme të shpejta të të infektuarve me Ebola.

Ban Ki-moon tha se përshkallëzimi i situatës tani kërkon një reagim ndërkombëtar për emergjencë në shëndetësi. Ai njoftoi për krijimin e një misioni emergjence të OKB-së, i cili do të koordinojë veprimet edhe me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për të luftuar krizën. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bëri të ditur se javën e ardhshme do të thërrasë një takim të nivelit të lartë lidhur me situatën e emergjente në Afrikën Perëndimore.

Më parë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama e kishte cilësuar shpërthimin e virusit si një “kërcënim global” dhe deklaroi për dërgimin e mijëra trupave amerikane për të forcuar shërbimet shëndetësore në shtetet e prekura. Do të dërgohen 3 mijë trupa amerikane në terren, gjithashtu do të ndërtohen edhe qendra të reja të kujdesit shëndetësor.

Top Channel