Vizita e Papës, itinerari, siguria…

18/09/2014 00:00

Vizita e Papës Françesk të dielën më 21 shtator në Tiranë do të zhvendosë vëmendjen e mbarë botës në vendin tonë. Kreu i Kishës Katolike zgjodhi Shqipërinë si vendin e parë për të vizituar në Europë, një zgjedhje e argumentuar prej Tij jo rastësore.

Kur njoftoi përzgjedhjen e vendit tonë Ai tha se zgjodhi Shqipërinë si një vend të vuajtur gjatë komunizmit, por edhe për harminonë fetare që e karakterizon.

Por cili është itinerari i vizitës disa-orëshe të Papës? Si e presin katolikët dhe besimtarët e feve të tjera në Shqipëri? Së fundmi në disa media, në vend dhe jashtë vendit qarkullon lajmi i mundësisë së një sulmi ndaj Atit të Shenjtë? Sa të vërteta janë këto lajme? Kush dhe si do të garantojë sigurinë e Atit të Shenjtë?

Këtyre dhe të tjera pyetjeve u munduan t’i japin përgjigjje të ftuarit e takimit të kësaj të enjteje në Top Story, ku me gazetarin ishin përfaqësues të komunitetit katolik, atij mysliman dhe analistë, por nuk munguan as lidhjet direkte nga Aeroporti i Rinasit për të paraprirë ambientet ku do të pritet fillimisht Papa dhe më pas nga Sheshi Nënë Tereza, ku do të kulmojë vizita e tij.  

I pari që mori fjalën ishte analisti Mustafa Nano i cili një ditë më parë botoi librin “Pax Albanica”, një libër kushtuar besimit dhe harmonisë fetare në Shqipëri.

“Janë shumë pak gjërat që kam mendimin që po them një gjë të re, të tjerat janë shumë gjëra që janë thënë nga të tjerët. Është një tezë e imja në lidhje me vizitën e Papës që ka të bëjë me kristianizimin e shqiptarëve. Kam pretendimin që kristianizimi i shqiptarëve është bërë që në periudhën që pasoi kryqëzimin e Krishtit, por kam pretendimin tjetër që kristianizimi nuk është bërë me apostuj”, tha Mustafa Nano.

Dom Gjergj Meta, gjithashtu i ftuar në panel vlerësoi vizitën e Papës si historike dhe që ndodh në një kontekst të caktuar historik, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vetë Kishën Katolike.

“Papa vjen në një kontekst tërësisht ndryshe që ka të bëjë me atë të Shqipërisë, kontekstin e kishës universale dhe atë të vecantë. Evolucioni i shoqërisë ka qenë shumë i madh në këto 20 vite. Ky Papë vjen në Shqipëri si Papë që po kërkon të revolucionarizojë kishën. Ai ka thënë që kisha duhet të dalë jashtë dhe t’u vijë në ndihmë personave në nevojë. Po i jep një frymë të re kishës. Kohët e fundit ka guximin që t’i thotë disa gjëra troç edhe botës së pasur, por edhe atyre që luftojnë në emër të politikës, ekonomisë dhe fesë”, tha ai.

I pyetur se përse vazhdon me qendrimin “konservator” sa i përket Kosovë, Dom Gjergj Meta u përgjigj: “Vatikani ecën ngadalë dhe nuk ka thënë jo të prerë. Do të shihet me kalimin e kohës”.

Agron Gjemarkaj, pedagog në Universitetin e Tiranës sheh vizitën e papës në disa kontekste kryesore. “Papa vjen të mbështesë demokracinë në vendin tonë, vjen të mbështesë bashkëjetesën fetare. Mendoj që vjen ta propozojë Shqipërinë si model dhe vjen si një Papë që shikon probleme sociale. Mos harrojmë që Shqipëria është një vend ndër më të varfërit në Europë. Është një Papë që është partizan i madh i dialogut dhe i hapjes”, tha ai.

Analisti Arjan Vasjari tha se vizita e Papës është historike për faktin se ai është përfaqësuesi më i zëshëm i qytetërimit ku Shqipëria dëshiron të shkojë.   

Myftiu i Durrësit, Redin Quku tha se: “Vëmendja është dukshme, vizita zgjon interes. Për ne zgjon interes më shumë mesazhi që do të përçojë ai në Shqipëri. Nuk besoj se ka xhelozi. Papa është i mirëpritur jo vetëm nga komuniteti katolik, por edhe nga komuniteti mysliman në cilësinë e të zotit të shtëpisë”.

Analisti Fran Kulli vlerësoi se vizita e Papës Françesk është e një dimensioni akoma më të madh se ajo e 1993 e Papa Gjon Palit II. “Është më e plotësuar dhe përfshin të gjithë shqiptarët”, tha ai duke iu referuar këtu ndryshimeve që kanë ndodhur në rajon.

Papa do të zbresë në Rinas në orën 09:00 ku do të marrë udhë një axhendë e ngjeshur me takime me krerët më të lartë të shtetit dhe drejtues të klerit fetar në vend.

Në Rinas i është rezervuar pritje zyrtare nga Kryeministri Edi Rama dhe disa përfaqësues të Kishës Katolike. Në orën 9:30 është planifikuar ceremonia e mirëseardhjes në oborrin e Presidencës, shoqëruar me një vizitë kortezie me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

Ora 10:00 do ta gjejë Papën në në sallën e pritjes së kreut të shtetit, në një takim me autoritetet dhe më pas do të ketë një fjalim nga ana e tij.

Një orë më vonë, në sheshin “Nënë Tereza”, Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën e Shenjtë. Do të bashkëkremtojnë me të edhe 2 kardinalë, 18 ipeshkvinj, 240 meshtarë, 10 seminaristë dhe 4 diakonë.

Në hapësirën para altarit, do të vendosen një grup të sëmurësh, për të cilët Papa Francesku ka gjithmonë kujdes të veçantë, disa të rinj të dioqezave të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi, si edhe një numër personash, të ftuar nga Kisha Katolike, ndër këtë zyrtarë të lartë të shtetit, përfaqësi diplomatike në Shqipëri, besimtarë dhe persona që i kanë qëndruar pranë Kishës në këto 20 vite.

Në orën 13:30 është planifikuar një takim dhe drekë me ipeshkvinjtë shqiptarë dhe me shpurën papnore në Nunciaturën Apostolike.

Në mjediset e Nunciaturës Apostolike Ati i Shenjtë do të takojë Ministrin e Brendshëm Z. Sajmir Tahiri me një grup bashkëpunëtorësh të Ministrisë së Brendshme.

Në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Papa do të takohet me krerët e besimeve të tjera dhe komuniteteve të krishtera. Ati i Shenjtë  duke vlerësuar bashkëjetësën fetare në Shqipëri ka shprehur dëshirën të takojë personalisht përfaqësues të komuniteteve fetare të vendit tonë. Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësues nga komuniteti mysliman, ortodoks, bektashian, katolik dhe protestant.  Ky takim do të zhvillohet pa praninë e mediave.

Në orën 17:00 do të jetë kremtimi i lutjes së mbrëmësores në Katedralen e Tiranës. Në këtë takim do të marrin pjesë rreth 800 meshtarë, motra, rregulltarë dhe rregulltare si dhe përfaqësues të lëvizjeve laikale në Shqipëri.

Në orën 19:45 në aeroport do të zhvillohet ceremonia e largimit të Papës nga vendi ynë dhe 15 minuta më vonë, Ati i Shenjtë do të lerë tokën shqiptare.

Sic shihet në axhendë parashikohet edhe një takim me përfaqësues të feve të tjera në vendin tonë. Analisti Mustafa Nano tha se takimi nuk është i rastësishëm, ndërkohë që vlerësoi rolin historik të klerikëve në mbrojtje të kombit.

“Këtu kleri katolik ka qenë kler patriotësh, kur e dimë fare mirë që feja në shumë klerikë është në plan të parë. Këtu është një traditë që kleri i të dyja krahëve ka vënë shpesh herë me të drejtë kombin. Besimtarët në plan të parë kanë besimin, por ne jemi të gjithë shqiptarë dhe këtu ka një bashkim nga të dyja palët”, tha Nano.

Një ndër arsyet e zgjedhjes së Shqipërisë prej Atit të Shenjtë është harmonia fetare, e cila duhet ruajtur nga elementët radikalë. Sa e rrezikuar është Shqipëria nga këta elementë? A ka të tillë mes Komunitetit Mysliman? Këtyre pyetjeve Myftiu i Durrësit, Redin Quku iu përgjigj: “Shqipëria nuk është më e izoluar nga pjesë tjetër e botës. Shqipëria sot është Shqipëria e hapur dhe fluksi i lëvizjes së lirë është rritur dhe komunikimi dhe shkëmbimi i ideve është rritur dhe ndikohet nga ide ekstreme. Ide të tilla ka në të gjithë botën edhe në vende shumë të zhvilluara. E rëndësishme është që pjesa më e madhe e një komuniteti të mos dominohen nga këto elemente dhe të mos përfaqësojnë në masë këto ide. Ne na rezulton që brenda komunitetit, individët dhe personat që kanë tendecë për t’iu bashkangjitur radikalizmit janë në minorancë dhe nuk mund të bëhen përgjithësues për masën tjetër”, tha ai.

Por ndërsa në Shqipëri radikalizmi ndjehet shumë pak, në Kosovë policia ndërmori një tjetër operacion duke arrestuar disa imamë me akuzën e nxitjes së urrejtjes fetare.

Cilat janë masat e sigurisë? Për të shpjeguar më qartë këto masa, të vlerësuara si të jashtëzakonshme, në lidhje direkte me Top Story nga sheshi Nënë Tereza ishte gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha që zbardhi disa detaje nga masat e sigurisë së autoriteteve.

Kështu mësohet se të premten, përvec masave të sigurisë, ‘në vend do të shpallet shërbimi i përforcuar edhe nga 600 efektivë të Gardës së Republikës, RENEA, Ndërhyrja e Shpejtë dhe agjentë të anti-terrorit. Bulevardët dhe rrugët ku do të kalojë eskorta e Papës do të kontrollohet imtësisht me qen anti-eksplozivë dhe nuk do të lejohet parkimi. Do të vendosen gjithashtu edhe rreth 50 snajpera përgjatë rrugës dhe në gjithë rrugën që do kryejë Papa.

Një tjetër masë e nisur prej kohësh nga Policia e Shtetit dhe shërbimet sekrete është vëzhgimi i disa personave që kanë familjarë të tyre në luftë në radhët e Al-Nusras.

Këto masa të përforcuara të sigurisë ndërmerren pas deklaratës së Ambasadorit Irakian të publikuar në disa media europiane e më pas edhe në vendin tonë, për mundësinë e një sulmi ndaj Atit të Shenjtë.

Myftiu i Durrësit tha se deklarata e Ambasadorit nuk përmend Shqipërinë, por thotë se Papa mund të sulmohet në një nga vendet që do të vizitojë. “Papa fil pas Shqipërisë do të vizitojë Turqinë”, tha ai.

Pjesa e tretë e iu kushtua prezantimit të ambienteve të rikonstrukturuara të terminalit VIP në Aeroportin e Rinasit të pagëzuar me emrin “Marubi Lounge”. Në lidhje direkte gazetarja e Top Channel, Lira Burgija në shoqërinë e arkitektees Elva Margariti prezantoi mjediset së bashku me këndin e përshtatur ku pritet të zhvillohet takimi mes Papës dhe Kryeministrit Rama.

Arkitektja Margariti sqaroi edhe përzgjedhjen e emrit të terminalit “Marubi Lounge”. Marubi, tha ajo, është figura më përfaqësuese e kulturës shqiptare në Ballkan dhe më gjerë dhe ndërthurja më e mirë mes së shkuarës dhe modernes.

Top Channel