Ambasadori shqiptar në Serbi, Ilir Boçka, u ka premtuar shqiptarëve të Luginës së Preshevës që kryeministri Edi Rama, do të flas edhe për problemin e tyre në takimet gjatë vizitës në Beograd, me 22 tetor.

“Në të gjitha vizitat e zotit Rama shqetësimet e shqiptarëve kanë qenë pjesë e axhendës së tij dhe besoj se edhe në këtë rast nuk do të ketë ndonjë përjashtim. Ai ka kujdesin dhe vëmendjen dhe me siguri do të ketë edhe në këtë rast vëmendjen për trajtimin e shqetësimeve dhe interesave që keni. Aktualisht vizita e zotit Rama ka një jehonë të madhe edhe në Beograd. Ne po punojmë tani për ta plotësuar programin e saj me të gjitha të dhënat”, deklaroi ambasador i Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka.

“Padyshim që në këtë takim vëllazëror jemi njohur me të gjitha problemet aktuale që kanë shqiptarët në Luginën e Preshevës”, u shpreh Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës.

Kryeministri Rama do ta vizitojë Serbinë në një takim pune ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje dhe të flitet për marrëdhëniet në rajon. Rama e Kryeministri serb tashmë kanë qenë pjesë e disa udhëtimeve si në Gjermani dhe Kinë.

Top Channel