Poroshenko në SHBA, takohet me Obamën

19/09/2014 00:00

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko është duke zhvilluar një vizitë në Shtetet e Bashkuara, ku u takua edhe me Barack Obama-n, i cili i ka dhënë mbështetjen e tij liderit ukrainas, duke e cilësuar atë si një “mik të fortë”.

Obama dënoi agresionin rus në Ukrainën Lindore. Ai përsëriti thirrjen për tërheqjen e trupave ruse nga territori ukrainas dhe ndalimin e dërgimit të armëve ndaj separatistëve pro-rusë.  Gjithashtu, ai pranoi edhe kërkesën e Poroshenko-s për që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë ushtrinë ukrainase në luftën e saj ndaj separatistëve pro-rusë. Ndihma do të përfshijë vetëm anën logjistike dhe jo mjete luftarake.

“Urime për punën e shkëlqyer që keni bërë. Ju keni një mik të fortë, jo vetëm mua personalisht, por mendoj që keni edhe mbështetjen e Kongresit”, tha Obama gjatë takimit dypalësh.

Ndalesa e parë e Poroshenkos ka qenë në Departamentin e Shtetit ku u prit nga Sekretari i Shtetit, John Kerry.

Ndërkohë, në një fjalim në Kongres, Poroshenko ka deklaruar se Ukrainës i duhen më shumë ndihma, si humanitare edhe ushtarake. “Batanijet dhe mjetet për shikim gjatë natës janë të rëndësishme, por lufta nuk mund të fitohet vetëm me batanije”, ka thënë presidenti ukrainas.

Top Channel