Shpërthim eksplozivi në Fushë Krujë

19/09/2014 00:00

Një shpërthim eksplozivi është verifikuar mëngjesin e së premtes në Fushë Krujë, vetëm pak ditë pas një ngjarjeje të ngjashme të ndodhur në këtë zonë.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave ngjarja ka ndodhur në fshatin Larushk, pranë dyqanit të një personi.

Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, uniformat blu kanë bërë rrethimin e zonës dhe kanë nisur mbledhjen e provave.

Sipas burimeve, nga hetimet paraprake është mësuar se dyqani është në pronësi të shtetasit Alfred Corushi dhe se nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale.

Në përpjekje për zbardhjen e episodit do të merren në pyetje pronari i dyqanit dhe familjarët e tij, kanë shtuar më tej burimet.

Më herët gjatë muajit një sasi eksplozivi iu vendos automjetit të kryetarit të Bashkisë së Fushë-Krujës, Gjon Bardhi.

Makina e kryebashkiakut ndodhej e parkuar në një lokal dasmash po në fshatin Larushk dhe dyshohet se lënda plasëse, tip tritol, ishte vendosur poshtë motorit të mjetit. Nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale të mjetit dhe disa mjeteve të tjera aty pranë.

I kontaktuar nga mediat, kryebashkiaku deklaroi se nuk kishte asnjë konflikt që mund të ketë çuar në një akt të tillë. Megjithatë, pista kryesore e kësaj ngjarjeje për policinë është ajo për shkak të detyrës.

Top Channel