Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë kryer në orët e para të mëngjesit të së premtes një operacion anti-krim në fshatin Lazarat.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave operacioni i uniformave blu është përqendruar në vendin e njohur si Gryka e Sopotit, ku është kontrolluar banesa e një të dyshuari.

Sipas burimeve, nga kontrollet e kryera në pronën e shtetasit Asqeri Basha janë gjetur dhe sekuestruar katër automatikë të tipit Kallashnikov, si dhe dy automjete.

Pas sekuestrimit forcat e policisë, të ndihmuara nga efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, janë vënë në kërkim të shtetasit Basha.

Policia e Shtetit ndërmori në muajt e fundit operacionin masiv kundër kultivimit të bimëve narkotike në këtë fshat, që çoi në asgjesimin e tyre.

Megjithatë, pavarësisht kanabisit të asgjesuar dhe sekuestrimeve masive të armëve, në këtë fshat kanë mbetur vatra sporadike krimi, që shtyjnë policinë të vijojë aksionet e saj.

Një ditë më parë, kryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig paraqiti në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë raportin vjetor për Shqipërinë, në të cilin vlerësohej puna e Policisë së Shtetit në Lazarat.

“Arritja më e dukshme ishte ndërhyrja kundër kultivimit të drogës. Përpjekja e suksesshme për të rivendosur kontrollin në Lazarat, qendra famëkeqe e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, është pasuar nga operacione të ngjashme në zona të tjera të vendit”, deklaroi Raunig.

Ndërsa të mërkurën, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, së bashku me drejtorin për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Owern Jenkinks, ishin për një vizitë në fshatin Lazarat.

Ministria e Brendshme bëri me dije se, vizita ishte një mundësi për të shqyrtuar kapacitetet e zhvillimit të kësaj zone, përmes veprimtarive të ligjshme ekonomike.

Nga ana e tyre, zyrtarët britanikë vlerësuan operacionin e policisë në Lazarat, që sipas tyre hoqi përfundimisht Shqipërinë nga harta e zezë e kultivimit të lëndëve narkotike.

Gjatë qëndrimit në Lazarat, ata panë nga afër edhe disa nga vendet ku përpunohej lënda narkotike. Ndërsa banorët e fshatit kërkuan nga ministri Tahiri ngritjen e një poste policore, e cila nuk ekziston prej vitesh.

Top Channel