Zbardhet vrasja e të moshuarave, një nga autorët, nipi i viktimave

19/09/2014 00:00

Dy javë pas vrasjes makabre të dy grave të moshuara në qytetin e
Durrësit, policia në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit kanë mundur të
zbardhin ngjarjen dhe kapin dy prej të dyshuarve, ndërsa është në
kërkim një i tretë.

Një nga të dyshuarit e këtij krimi është nipi i njërës prej viktimave. Grupi hetimor ka mundur të hedhë dritë mbi ngjarjen që rezulton të jetë një vjedhje me dhunë, me pasojë vdekjen, ndërsa policia ka kryer ndalimet e para. Si rezultat i punes hetimore u bë e mundur të zbardhet plotësisht mekanizmi i kësaj ngjarje, të saktësohet mënyra e ekzekutimit si dhe nxitja që i ka çuar autorët drejt këtij krimi të kryer nga shtetasit Indrit Shaqo dhe Velson Elmazi, të cilët kanë hyrë në banesë pasi kanë thyer dritaren e katit të parë të banesës, me qëllim grabitjen e shumave të parave dhe floririt në të.

Shaqo ka qenë i armatosur me nje pistoletë kur ka hyrë në shtëpi. Për të realizuar qellimin e tyre kriminal  autorët  kanë lidhur ne gjymtyrë dhe iu kanë bllokuar gojën dy të moshuarave, duke iu shkaktuar asfiksinë.

Pas zbardhjes, policia ndaloi shtetasin Velson Elmazi, 28 vjeç nga Elbasani, i dënuar më parë me 4 vjet heqje lirie për marrëdhënie seksuale me dhunë, si dhe arrestoi për armëmbajtje pa leje dhe bashkëpunim në këtë krim shtetasi Artur Kacanolli, 28 vjeç nga Shijaku, i padënuar më parë. Kacanolli është dhe djali i vajzës së motrës së Gjinovefa Vavës dhe dyshohet se ai ka nxitur e organizuar vjedhjen e tezes së moshuar të së ëmës me qëllim marrjen e parave dhe bizhuterive të florinjta në banesën e saj.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi prej 65 fishekësh luftarake, 4 ndezësa detonatorë, si dhe një sasi fitili zjarrpërcjellës. Në kërkim është shpallur 40-vjeçari Indrit Shaqja nga Shijaku, i dënuar për krime kundër personit dhe shtetas i dyshuar për përfshirjen në disa ngjarje kriminale. Elsa Vava 72 dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç, u vranë në katin e dytë të shtëpisë së tyre më 2 shtator. Ato u gjetën të dhunuara dhe të lidhura këmbë e duar, me qese plastmasi në kokë nga djali i njërës prej viktimave. Nga hetimet e deritanishme rezulton se shuma që është mundur të përvetësohet në banesë është rreth 2 milionë lekë.

Top Channel