Makina, me të cilën Papa Françesku do të udhëtojë në Tiranë, ka mbërritur mëngjesin e së premtes në portin e Durrësit.

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar nuk do jetë makina me xhama të blinduar, por makina e hapur, me të cilën Papa Françesku përshëndet besimtarët në sheshin “Shën Pjetër” në Vatikan.

Nën masa të rrepta sigurie të policisë shqiptare, por edhe të sigurisë së Vatikanit, makina e Papës ka udhëtuar në drejtim të Tiranës, ku është parkuar në ambientet e Presidencës.

Sipas të dhënave paraprake, mësohet se Papa Françesku do të udhëtojë nga Rinasi në drejtim të Presidencës, me një makinë të thjeshtë të vënë në dispozicion nga Nunciata Apostolike, e pas takimit në Presidencë, Papa Françesku do të nisë udhëtimin e tij me makinën e hapur.

Sipas itinerarit, mësohet se makina do të përshkojë rrugën nga Presidenca në drejtim të Hotel Dajtit, ku dhe do të kthehet, për të vijuar rrugën në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”.

Makina do të kryejë dy rrotullime rreth sheshit, për t’i dhënë mundësi Papa Françeskut për t’u përshëndetur me njerëzit, e më pas Ati i Shenjtë do të zbresë për të drejtuar meshën e shenjtë përpara mijëra besimtarëve.

Top Channel